Last Updated on 18/06/2026 by Kesjana
Në selinë e NATO-s në Bruksel po zhvillohet ministeriali i ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare, një takim që vjen në një moment të rëndësishëm për Aleancën, mes përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve ushtarake, modernizimin e industrisë së mbrojtjes dhe përgatitjet për samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara.
Në këtë takim merr pjesë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke u bërë pjesë e diskutimeve kryesore mbi sigurinë dhe zhvillimet strategjike të Aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se vendet anëtare do të fokusohen në ndërtimin e një Evrope më të fortë brenda një NATO-je më të fuqishme, duke nënvizuar nevojën për më shumë forca ushtarake, rritje të investimeve dhe forcim të bazës industriale të mbrojtjes. Sipas tij, vendet evropiane dhe Kanadaja kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes gjatë vitit 2025, duke reflektuar një rritje të konsiderueshme të angazhimeve financiare brenda Aleancës.
Në agjendën e takimit përfshihen edhe diskutimet e Grupit të Planifikimit Bërthamor, përgatitjet për samitin e ardhshëm të Aleancës, si dhe mbledhjet e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili bashkëdrejtohet nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Një nga temat kryesore mbetet zbatimi i objektivit të ri të NATO-s për investimin deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje dhe siguri deri në vitin 2035, i miratuar në Samiti i Hagës, ku 3.5% e PBB-së parashikohet për kapacitetet ushtarake bazë dhe 1.5% për infrastrukturën kritike, sigurinë kibernetike dhe industrinë e mbrojtjes.
Për Shqipërinë, pjesëmarrja në këtë ministerial vjen në një moment të rëndësishëm, pasi vendi ka arritur për herë të parë objektivin minimal të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes prej 2% të PBB-së. Sipas të dhënave të Aleancës, Shqipëria ka investuar rreth 570 milionë dollarë në mbrojtje gjatë vitit 2025, me një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të dedikuar për pajisje ushtarake dhe zhvillim teknologjik, duke u renditur ndër vendet me angazhime të forta në rajon.
Takimi në Bruksel zhvillohet në një fazë ku NATO po intensifikon përpjekjet për rritjen e prodhimit ushtarak dhe modernizimin e industrisë së mbrojtjes, me synim forcimin e gatishmërisë operacionale dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, ndërsa aleatët po përgatiten për vendime të reja strategjike që do të përcaktojnë drejtimin e Aleancës në vitet e ardhshme./kb
