Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, deklaroi se ai po ndërpret çdo kontakt me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, duke e akuzuar atë se e krahason Izraelin me Afrikën e Jugut të epokës së aparteidit.
Në një postim në platformën e mediave sociale amerikane X, Saar akuzoi Kallas për sjelljen “në mënyrë obsesive dhe me padrejtësi të hapur” ndaj Izraelit.
“Kohët e fundit, u publikua se gjatë vizitës së saj në Meksikë, ajo e krahasoi Izraelin me regjimin racist të aparteidit që ekzistonte në Afrikën e Jugut,” shkroi ai.
“Nuk kam zgjidhje tjetër veçse të ndërpres çdo kontakt me zonjën Kallas derisa ajo të tërheqë shpifjen e gjakut (blood libel) që ajo drejtoi” ndaj Izraelit, tha Saar.
“Deri më sot, asnjë mohim, sqarim apo përgjigje nuk është dhënë nga ajo në lidhje me këtë deklaratë të ashpër,” shtoi ai.
Saar tha se ai vlerëson ligjvënësit evropianë që kanë dënuar vërejtjet e raportuara, por kritikoi Kallas për mospërgjigjjen publike.
Sipas raporteve të mediave të cituara nga Saar, Kallas e bëri krahasimin gjatë takimeve me dyer të mbyllura me zyrtarët meksikanë ndërsa diskutonte trajtimin e Izraelit ndaj palestinezëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.
Kallas vizitoi Meksikën midis 20 dhe 22 majit si pjesë e një delegacioni të nivelit të lartë evropian që merr pjesë në një samit ndërkombëtar.
Mosmarrëveshja vjen mes kritikave në rritje ndërkombëtare ndaj Izraelit për sulmet e tij në Gaza dhe territoret e pushtuara palestineze.
Në nëntor 2024, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli po përballet gjithashtu me një çështje gjenocidi përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e paraqitur nga Afrika e Jugut dhe e mbështetur nga disa vende të tjera./mxh