Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth paralajmëroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të gatshme të rivendosin një “bllokadë të hekurt” ndaj Iranit nëse Teherani nuk respekton detyrimet e marra, në kuadër të memorandumit të nënshkruar këtë javë, raportoi BBC.
Sipas Hegseth, SHBA-ja ka pranuar të heqë bllokadën detare, e cila prej muajit prill kishte penguar lëvizjen e anijeve drejt dhe nga brigjet iraniane, por kjo masë mund të rikthehet menjëherë në rast shkeljeje të marrëveshjes.
“Nëse Irani nuk bën atë që ka premtuar, veçanërisht përsa i përket heqjes dorë nga ambiciet për armë bërthamore, ne jemi plotësisht të aftë të rivendosim një bllokadë të hekurt”, deklaroi ai.
Kreu i Pentagonit theksoi se Departamenti amerikan i Mbrojtjes, mbetet i gatshëm të rifillojë operacionet ushtarake, nëse kjo do të jetë e nevojshme, duke nënvizuar se si veprimet ushtarake ashtu edhe negociatat, do të përqendrohen te programi bërthamor iranian.
Hegseth shtoi gjithashtu se disa vende evropiane, janë të gatshme të rrisin angazhimin për garantimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë.
Ai i bëri thirrje të drejtpërdrejtë Britanisë së Madhe, që të shtojë kontributin e saj, si financiarisht ashtu edhe ushtarakisht, veçanërisht në rast se SHBA-së, do t’i nevojitet akses në bazat ushtarake britanike, përfshirë atë në Diego Garsia./mxh
