Last Updated on 18/06/2026 by EL
“Apple” pritet të rrisë çmimet e produkteve të saj, pasi përballet me një rritje të ndjeshme të kostove të çipave të memories, komponentë thelbësorë për pajisjet inteligjente. Lajmi është konfirmuar nga drejtori ekzekutiv në largim i kompanisë, Tim Cook, i cili deklaroi se rritja e çmimeve është “e pashmangshme” për shkak të paqëndrueshmërisë së tregut të këtyre çipave.
Megjithatë, Cook nuk specifikoi se kur do të hyjnë në fuqi çmimet e reja dhe as cilat produkte do të preken. Ende nuk dihet nëse ndryshimet do të ndikojnë edhe te modeli i ardhshëm i iPhone 18, që pritet të prezantohet në muajin shtator.
Çipat e memories janë një element kyç në funksionimin e telefonave inteligjentë dhe pajisjeve të tjera elektronike. Sipas raportimeve, kërkesa në rritje për teknologjitë e inteligjencës artificiale ka ushtruar presion mbi furnizimin global, duke çuar në rritjen e çmimeve të tyre.
Në të njëjtën kohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Apple ka rënë dakord të bashkëpunojë me prodhuesin e çipave Intel për prodhimin e çipave në territorin amerikan. Në një postim në platformën Truth Social, ai u shpreh se mbështetja për Intel synon forcimin e prodhimit vendas dhe zhvillimin e industrisë së çipave në Shtetet e Bashkuara.
Nëse planet e Apple zbatohen, konsumatorët mund të përballen me çmime më të larta për një pjesë të produkteve të kompanisë në muajt në vijim./ET
