Last Updated on 18/06/2026 by Monika
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka dhënë detaje nga operacioni i SPAK, ku u godit një organizatë e fuqishme e narko-trafikut, e cila pastronte qindra milionë euro në Shqipëri, në ndërtim, hotele, vila luksoze, etj.
Lala tha se personi kyç i cili dyshohet si kreu i organizatës është Shpëtim Aliu, ndërkohë që ai furnizone edhe grupime të tjera.
“Bëhet fjalë për një organizatë, me disa grupime që kanë bashkëvepruar. Secili prej grupimeve ka patur një kre dhe organizator. Këto grupime kanë marrë sasi lëndësh narkotike te i njëjti furnitor, i njëjti person. Bëhet fjalë për hetim të nisur gjashtë vite më parë, në maj 2020, policia i është drejtuar SPAK me një referim, duke pretenduar se Shpëtim Aliu, 50 vjeç, kishte dyshime të ishte i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Në të njëjtin referim bëhej me dije se vëllai i tij ishte përfshirë në veprën penale të pastrimit të parave, atëherë flitej për rrjet supermarketesh në Elbasan. Kjo ka qenë pikënisja e hetimit.
Në vitin 2025, nga një tjetër dosje penale, është zbërthyer kodi i SKY ECC, Shpëtim Aliu, personazh i larguar herët në Elbasan, i vendosur në Ekuador, por frekuentonte edhe Dubain. Në Ekuador kishte krijuar lidhje me kartele dhe siguronte sasi t ëmëdha të kokainës.
Në momentin që është zbërthyer SKY ECC, nga përpunimi i të dhënave, SPAK ka firmosur 10 urdhër arreste dhe është ekzekutuar një prej tyre. Të tjerët janë në kërkim.
Grupi i drejtuar nga Shpëtim Aliu, bashkëpunonte me katër grupe, të Dritan Gjikës, grupimi i Eldi Dizdarit, grupimin e Armando Pacani, thuajse fantazmë për autoritetet shqiptare. I vetmi grup i papërfolur deri sot është ai i Sokol Bibaj, vëllai Nikoll Bibaj rezultonte biznesmen ndërtimi në Shqipëri, por nga ana tjetër vëllai konsiderohej grosist i kokainës që sillte miliona euro në Shqipëri.
Në ato pak materiale që kanë rrjedhur, Shpëtim Aliu siguronte miliona euro në periudha të shkurtra. Vëllai i tij Isa Aliu e informon, që kishte 6 mln euro kesh dhe i thotë brenda pak ditësh do marr 20 mln të tjera. Shumat që fitonin ishin marramendëse dhe investoheshin në ndërtim. Ka patur shqetësim mes vëllezërve për pastrimin e parave. Shpërtim Aiu e orientonte vëllain të groposte paratë.
Mënyrat innovative, kriptomonedha apo kompanive të vogla, kanë arritur të injektojnë miliona euro në tregun e ndërtimit.
SPAK ka sekuestruar 150 milionë euro, vila luksoze, hotele të lidhura me brande të njohura, llogari bankare, sipërfaqe toke.
Shpëtim Aliu ishte i kërkuar në vende të tjera, por nuk njihej në Shqipëri.
Karakteristike është që ky kartel kriminal, nuk rezulton deri tani të ketë patur vrasje mes rivalëve. Kanë bërë biznes të pastër.
Ka detaje në dosje thonë “Do të mbysim Europën me kokainë”. Nis 8 ton në muaj, e kështu me rradhë.
Grupimet nuk furinzoheshin vetëm nga Shpëtim Aliu, por edhe nga të tjerë, edhe të huaj”, deklaroi Lala./mxh
