Trafiku i anijeve në Ngushticën e Hormuzit vazhdon të jetë i kufizuar, edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes kornizë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit për heqjen e bllokadave të ndërsjella në këtë korridor jetik detar.
Sipas Shoqatës së Pronarëve Gjermanë të Anijeve, nuk është vërejtur ende një rritje e ndjeshme e lëvizjes së mjeteve lundruese.
Ndërsa zakonisht nëpër ngushticë kalojnë më shumë se 100 anije në ditë, ditët e fundit numri i kalimeve ka qenë vetëm me një ose dy shifra.
Kompanitë e monitorimit detar raportojnë se disa anije mallrash kanë rifilluar lëvizjen drejt kalimit strategjik, por aktiviteti mbetet larg niveleve normale.
Edhe të dhënat e “International Maritime Organization” tregojnë vetëm një rritje të lehtë të trafikut nga nivelet shumë të ulëta të javëve të fundit.
Marrëveshja e re mes Uashingtonit dhe Teheranit parashikon heqjen e pengesave për lundrimin ndërkombëtar në Hormuz, por mënyra konkrete e zbatimit të saj mbetet ende e paqartë.
Për këtë arsye, kompanitë e transportit detar po tregohen të kujdesshme.
Gjiganti gjerman i transportit “HApad Lloyd” njoftoi se katër anijet e tij në Gji po përgatiten për të kaluar nëpër Hormuz, por do të nisen vetëm kur kushtet e sigurisë të konsiderohen të përshtatshme.
Ekspertët paralajmërojnë se normalizimi i plotë i furnizimeve energjetike nga rajoni mund të kërkojë ende kohë.
Dëmet në disa objekte prodhimi, si dhe nevoja që kompanitë e sigurimeve të përshtatin politikat e tyre me realitetin e ri, mund të vonojnë rikthimin e plotë të tregtisë në një nga rrugët më të rëndësishme detare të botës./mxh
