Australia ka konfirmuar rastin e parë të gripit të shpendëve H5N1 në territorin e saj, pasi virusi u zbulua te një zog deti i gjetur në një zonë të largët të Australisë Perëndimore.
Kryeministri australian Anthony Albanese deklaroi se qeveria do të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përhapjen e virusit, duke e cilësuar situatën si shqetësuese.
Sipas autoriteteve, testet laboratorike konfirmuan se një skua kafe e gjetur e sëmurë pranë qytetit Esperance ishte e infektuar me llojin shumë patogjen të gripit të shpendëve H5N1. Një tjetër shpend i egër, një pelikan, i gjetur në të njëjtën zonë, rezultoi gjithashtu pozitiv.
Ministrja australiane e Bujqësisë bëri të ditur se deri tani nuk ka prova që virusi të jetë përhapur te shpendët e fermave apo në sistemin bujqësor të vendit. Ajo theksoi se nuk janë regjistruar ngordhje masive të shpendëve dhe se rreziku për industrinë bujqësore mbetet i kufizuar në këtë fazë.
Megjithatë, autoritetet kanë rritur masat e biosigurisë në të gjithë vendin. Këto përfshijnë kontrolle më të rrepta në ferma, testime të vazhdueshme të shpendëve të egër, vaksinime për speciet më të rrezikuara dhe ushtrime të posaçme për reagim në rast përhapjeje të virusit.
Gripi i shpendëve H5N1 ka shkaktuar vdekjen e qindra miliona shpendëve në mbarë botën gjatë viteve të fundit, duke ndikuar në furnizimin me ushqime dhe në rritjen e çmimeve. Megjithatë, rastet e infektimit te njerëzit mbeten të rralla.
Autoritetet australiane vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa po kryhen hetime të mëtejshme për të përcaktuar shkallën e përhapjes së virusit në zonat ku u zbuluan rastet e para./ad
