Last Updated on 21/06/2026 by EL
Duke nisur nga shtatori programi “Pas Shkolle” do të zgjerohet në 500 institucione arsimore fillore në të gjithë vendin. Përveç ndihmës në kryerjen e detyrave të shtëpisë, nxënësit do të kenë mundësi të angazhohen në një gamë më të gjerë aktivitetesh sportive, artistike dhe kulturore.
Sipas zv/ministres së Arsimit Herida Duro, zgjerimi i programit synon jo vetëm të përmirësojë rezultatet në mësime, por edhe të krijojë më shumë hapësira për zhvillimin e talenteve dhe aftësive të nxënësve.
“Një rritje të numrit të shkollave në të gjitha qarqet arsimore, në të gjitha qytetet e vendit ku pritet që rreth 500 shkolla të jenë pjesë e programit pas shkolle me klube më dhe më të zgjeruara, më të larmishme, por mbi të gjitha edhe me modulin e të bëjmë detyrat e shtëpisë që është një nga ndihmesat kryesore do të thosha të rritjes së performancës”, tha Duro.Një nga sfidat kryesore mbetet ofrimi i ushqimit për fëmijët. Për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme në shkolla, ushqimi do të vazhdojë të merret nga vetë nxënësit.
“Mund t’i përgjigjen shumë më mirë nevojës edhe kërkesave personale të fëmijëve të tyre, kështu që do të vijohet me marrjen e ushqimit me vete nga të gjithë fëmijët. Kjo është tashmë një nga kushtet e pranuara të themi dhe të dakordësuara me prindërit në një masë të gjerë”, tha Duro.
Përveç mbështetjes akademike, programi do të ofrojë klube të muzikës, teatrit, kërcimit, artit dhe zejeve tradicionale
“Natyrisht edhe mësues në pension të cilët kanë shprehur një gatishmëri dhe kanë një motivacion apo një angazhim një pjesë e mirë e specialistëve të të gjitha fushave siç janë fushat e teatrit, fusha e muzikës, fusha e kërcimit, fushat e zejeve, dijebërjes të cilët të cilat janë te larmishme nga rajoni në rajon i Shqipërisë dhe ne do duam që të jenë pikërisht këto ekspertiza, këta specialistë të cilët do të mundet t’i atashohen shkollave”, shpjegoi Duro.
Financimi i projektit arrin në 5 milionë euro. Fondet do të përdoren për pagesën e mësuesve të angazhuar në program, si dhe për pajisjen e shkollave me mjetet dhe materialet didaktike të nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve./et
