Last Updated on 22/06/2026 by Anisa
Seanca e radhës për dosjen “Partizani” do të zhvillohet më 6 korrik. Seanca pritet të mbahet në orën 10:00. Mësohet se SPAK ka thirrur si dëshmitar, ish-ministrin e Mbrojtjes dhe ish-zv.kryeministrin Gazmend Oketa.
Më herët ka dëshmuar dhe ish-ministri Genc Rruli. Në seancën e sotme ka dëshmuar ish-ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Gjatë fjalës së tij, Pango u shpreh se një pjesë e mirë e klubit shumësportesh ka qenë e zaptuar.
Ndër të tjera ai shtoi se kishte mijëra dokumenta në katër fusha që mbulonte teksa theksoi se nuk mban mend nëse ka patur të regjistruara ndonjë shoqatë. Sipas tij turizmi dhe trashëgimia kulturore kanë qenë në fokusin e tij dhe se sportet kanë qenë shumë më të pavarura në atë periudhë kur ishte ministër.
SPAK po merr dëshmi të personave që kanë pasur role institucionale në periudhën kur janë ndërmarrë procedurat që lidhen me çështjen e kompleksit sportiv “Partizani”.
Ish-kryeministri dhe kreu i PD, Sali Berisha përballet me akuzën për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për përfshirje në korrupsion dhe veprime të paligjshme për pastrimin e parave./ad
