Pasojat pritet të jenë shkatërruese, për shkak të ndërthurjes së këtij fenomeni me ndryshimet klimatike, borxhet e larta dhe konfliktet.
Adugna Woyessa ishte vetëm një djalë i vogël kur thatësira shkatërroi për herë të parë vendin e tij. Në fillim të viteve 1970, në zonat e Etiopisë të goditura nga mungesa e shiut, të korrat u shkatërruan dhe shkolla e tij madje ktheu një klasë në magazinë drithërash për të dërguar ndihma për fermerët. Në atë kohë, ai nuk e dinte se shkencëtarët sapo kishin filluar të kuptonin lidhjen mes kësaj force që thante tokën dhe ndryshimeve ciklike të erërave tregtare — një fenomen që prej kohësh shkaktonte mot ekstrem nga Amerika e Jugut deri në Australi.
Fenomeni më i njohur, El Niño — që në spanjisht do të thotë “djalë i vogël” — u emërua nga peshkatarët e Paqësorit në shekullin e 19-të. Por vetëm në vitet 1970 shkencëtarët kuptuan natyrën e tij globale dhe filluan të studiojnë ndikimin historik të këtij modeli klimatik, i cili karakterizohet nga vite të ngrohta dhe kushte ekstreme. El Niño i vitit 1972–73 ngrohu ujërat pranë Perusë aq shumë sa shkaktoi kolapsin e peshkimit më të madh të açuges në botë, ndërsa solli thatësira të rënda në Azinë Jugore, Sahel dhe pjesë të Afrikës Lindore, pak para krizës së naftës që thelloi urinë globale. Në Etiopi, protestat për menaxhimin e urisë kontribuuan në një grusht shteti ushtarak që solli një diktaturë komuniste.
Nga uria te Live Aid
Sipas Woyessa-s, i cili më vonë u bë epidemiolog në Institutin e Shëndetit Publik të Etiopisë dhe studioi ndikimin e El Niño-s në epidemitë e malaries, “ushqimi është faktori kryesor për aftësinë e njeriut për të përballuar efektet e El Niño-s në shëndet”. Por shpesh pikërisht ushqimi u mungon atyre që kanë më shumë nevojë.
Ai ishte në shkollë të mesme kur një El Niño edhe më i fortë goditi vendin në 1982–83, duke detyruar disa nga shokët e tij të udhëtonin deri në 150 kilometra për të ndihmuar në korrjet në fermat shtetërore. Deri në vitin e parë të universitetit, dështimet e përsëritura të të korrave dhe lufta civile e kishin shndërruar mungesën e ushqimit në një uri të madhe, e cila u bë e njohur në botë përmes koncertit Live Aid. Ai kujton se ndanin mëngjesin me njerëzit në kampet e strehimit, vetëm me dy copa bukë në ditë.
Ndryshime historike dhe “Godzilla”
Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike janë vetëm një nga faktorët që çojnë në kolapsin e shoqërive. Megjithatë, në format e tij më ekstreme, El Niño mund të sjellë pasoja katastrofike. Në shekullin e 19-të, uritë në Indi, Kinë dhe Brazil shkaktuan dhjetëra miliona viktima. Ka gjithashtu të dhëna se fenomeni mund të ketë ndikuar në Revolucionin Francez duke shkatërruar të korrat, si dhe në pushtimin spanjoll të Perandorisë së Inkave përmes ndryshimeve në reshje që favorizuan përhapjen e bimësisë në zona të thata.
Këtë vit, El Niño është rikthyer dhe shkencëtarët frikësohen se mund të jetë më shumë si një “i ri i zemëruar” sesa një “djalë i vogël”. NOAA ka deklaruar se ekziston rreth 63% mundësi që të bëhet shumë i fortë deri në fund të vitit. Disa ekspertë e kanë quajtur jozyrtarisht “super” ose “Godzilla” El Niño, duke paralajmëruar rritje të mëtejshme të temperaturave globale.
“Goditja perfekte”
Edhe nëse parashikimet më të errëta nuk realizohen, ky fenomen po zhvillohet në kushte të paprecedenta. Shkencëtarët mendojnë se viti i ardhshëm ka shumë gjasa të jetë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë. Klimatologia Sonali McDermid thekson se shqetësimi kryesor nuk është vetëm El Niño, por “bashkimi i shumë faktorëve stresues që ndodhin njëkohësisht”.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, rreth gjysma e 68 vendeve më të varfra kanë probleme serioze me borxhin. Lufta në Iran ka rritur çmimet e energjisë dhe ka kufizuar furnizimin me plehra kimike. Rrjeti i Sistemeve të Paralajmërimit për Urinë parashikon se 115–125 milionë njerëz do të kenë nevojë për ndihmë urgjente ushqimore deri në fund të vitit, me rreziqe të mëdha në Sudan, Sudanin e Jugut dhe Somali. Ndërkohë, ulja e ndihmës ndërkombëtare e bën situatën edhe më të rëndë.
Apeli dhe vendet e pasura
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së dhe FAO kanë bërë një thirrje të përbashkët për fonde, duke theksuar se çdo 1 dollar i shpenzuar për masa parandaluese kursen rreth 7 dollarë në ndihmë humanitare. Aktualisht mungojnë 167 milionë dollarë nga 202 milionë të nevojshme për të ndihmuar 8.8 milionë njerëz.
Edhe pse El Niño nuk pritet të ulë ndjeshëm prodhimin global të ushqimit, vendet më të varfra do të goditen më rëndë, pasi nuk kanë qasje në tregje që mund të zbusin krizën.
Megjithatë, efektet do të ndihen edhe në vendet e pasura: valë më të forta të nxehti dhe përhapje më e madhe e sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat do të prekin SHBA-në, Australinë dhe Japoninë.
Për Woyessa-n, ndryshimet janë tashmë të dukshme: lumi ku ai notonte si fëmijë është kthyer në një rrjedhë të vogël, pyjet janë zhdukur dhe reshjet janë bërë të paparashikueshme. Ai thotë: “Shqetësimi kryesor është zhvendosja e sezonit të shirave. Fillimi i tij ka ndryshuar plotësisht krahasuar me fëmijërinë time.”/a.d
