Britney Spears ka emocionuar ndjekësit e saj me një rrëfim të sinqertë, duke treguar se ende ëndërron të bëhet nënë për herë të tretë.
Artistja 44-vjeçare ndau në Instagram një video ku shfaqej duke kërcyer e veshur me një fustan të verdhë dhe çizme të zeza, ndërsa mbante në duar një kitarë të vogël. Krahas pamjeve, ajo publikoi edhe një mesazh personal, në të cilin foli për lidhjen e saj me muzikën dhe dëshirën për të zgjeruar familjen.
“Thuhet se muzika është gjuha e engjëjve. E bleva këtë kitarë në Meksikë me shpresën se një ditë do të kem një tjetër fëmijë”, shkroi këngëtarja, duke lënë të kuptohet se ideja për t’u bërë sërish nënë vazhdon të jetë shumë e rëndësishme për të.
Po në të njëjtën ditë, Spears ndau edhe një video tjetër ku shfaqej duke vallëzuar me një fustan të gjatë të zi.
Këngëtarja është nënë e dy djemve, Sean Preston, 20 vjeç, dhe Jayden James, 19 vjeç, të cilët i ka nga martesa me ish-bashkëshortin Kevin Federline.
Së fundmi, mediat amerikane kanë raportuar se Britney po kalon një periudhë më të qetë dhe më pozitive në jetën e saj. Burime pranë artistes kanë bërë të ditur se ajo është ndier më e lumtur dhe optimiste pas një programi rehabilitimi, të cilin e pranoi vullnetarisht pas vështirësive personale që kishte përjetuar.
Sipas raportimeve, djemtë e saj kishin luajtur një rol të rëndësishëm në këtë vendim, duke e inkurajuar të kërkonte ndihmë për të përmirësuar marrëdhënien me familjen.
Tani, me një gjendje më të stabilizuar dhe me optimizëm për të ardhmen, Britney Spears duket se po mendon për një kapitull të ri në jetën e saj, ku dëshira për të pasur edhe një fëmijë mbetet një nga ëndrrat e saj më të mëdha./mxh
