Edhe pse i kanë dhënë fund martesës së tyre, Nicole Kidman dhe Keith Urban duket se kanë ruajtur marrëdhënie të mira. Ish-çifti ka tërhequr vëmendjen së fundmi me dedikimet publike që i kanë bërë njëri-tjetrit në rrjetet sociale.
Me rastin e 59-vjetorit të aktores hollivudiane, Keith Urban ndau një urim të veçantë në Instagram. Artisti australian iu drejtua ish-bashkëshortes me fjalët “Gëzuar ditëlindjen, Nicole Mary”, duke përdorur emrin e saj të mesëm, një detaj që nuk kaloi pa u vënë re nga fansat.
Ky është një nga reagimet e para publike të këngëtarit ndaj Kidman që nga finalizimi i divorcit në fillim të vitit. Të dy kishin vendosur të ndaheshin në vjeshtën e vitit 2025, ndërsa procedurat ligjore u mbyllën disa muaj më vonë në Nashville, pas gati 20 vitesh martesë.
Nga ana tjetër, edhe Nicole Kidman kishte treguar më herët vlerësimin për ish-partnerin e saj. Në Ditën e Babait, ajo publikoi një foto të Keith Urban së bashku me vajzat e tyre, Sunday Rose dhe Faith Margaret, duke i shoqëruar imazhet me një mesazh urimi për të gjithë baballarët.
Veprimet e tyre kanë marrë vlerësime të shumta nga ndjekësit, të cilët kanë përshëndetur mënyrën e respektueshme me të cilën dy yjet po e menaxhojnë raportin pas ndarjes.
Për shumë vite, Nicole Kidman dhe Keith Urban janë konsideruar si një nga çiftet më të dashura të industrisë së argëtimit. Edhe pse historia e tyre si bashkëshortë ka përfunduar, mesazhet e fundit tregojnë se ata vazhdojnë të ruajnë respektin dhe bashkëpunimin, sidomos në rolin e prindërve të dy vajzave të tyre./mxh
