Rikthimi i BTS pas më shumë se tre vitesh larg skenës ka shkaktuar një interes të jashtëzakonshëm te fansat, por krahas entuziazmit janë shtuar edhe rastet e mashtrimeve me shitjen e biletave në internet.
Mijëra adhurues të grupit, të njohur si “ARMY”, kanë kërkuar me ngulm të sigurojnë një vend në koncertet e turneut të ri botëror, por disa prej tyre kanë përfunduar viktima të skemave mashtruese, duke humbur në total mbi 100 mijë dollarë.
Një nga rastet më të përfolura është ai i Vevee, një 26-vjeçare nga Indonezia, e cila pagoi 1,200 dollarë për katër bileta VIP të koncertit në Xhakartë, pasi nuk kishte arritur t’i blinte përmes kanaleve zyrtare. Megjithatë, personi që ia kishte premtuar biletat ndërpreu çdo komunikim sapo mori pagesën.
Interesi i madh për turneun e rikthimit ka bërë që në disa vende të Azisë kërkesa për bileta të tejkalojë deri në 15 herë kapacitetin e vendeve të disponueshme. Kjo ka detyruar organizatorët të shtojnë data të reja koncertesh në disa shtete, përfshirë Indonezinë dhe Filipinet.
Ndërkohë, autoritetet në Singapor dhe Tajlandë kanë raportuar dhjetëra ankesa nga fansat që kanë rënë pre e mashtruesve, të cilët përdornin profile të besueshme në rrjetet sociale dhe madje dokumente të falsifikuara për të fituar besimin e blerësve.
Kompania Ticketmaster ka njoftuar se po forcon masat kundër rishitjes së paligjshme dhe ka këshilluar fansat të blejnë bileta vetëm nga platformat zyrtare.
Turneu i ri i BTS, i cili do të zgjasë deri në vitin 2027 dhe do të përfshijë 34 qytete në mbarë botën, pritet të shënojë një nga rikthimet më të mëdha në historinë e K-pop-it./mxh
