Last Updated on 23/06/2026 by EL
Tregu i punës në Shqipëri ka regjistruar përmirësim gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave të detajuara të INSTAT mbi këtë treg, rezulton se papunësia ka zbritur në 8.4%, duke pësuar një tkurrje me 0.1% krahasuar me vitin 2024. Turizmi mban peshë kryesore në numrin e të punësuarve.
Sipas INSTAT, sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve, me përkatësisht 46.9% dhe 33.8% të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2025, në qarkun e Tiranës, sektori i shërbimeve përfshin pjesën më të madhe të të punësuarve gjithsej, me rreth 70% të tyre.
Në qarkun e Durrësit, Lezhës, Vlorës, Shkodrës dhe Gjirokastrës rezulton se rreth 45% e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve. Në qarqet e tjera të vendit, si Fieri, Korça e Berati, është punësimi në bujqësi ai që zë një peshë të konsiderueshme, me mbi 45%.
Sipas gjinisë, shkalla zyrtare e papunësisë është më e ulët për meshkujt dhe më e lartë për femrat. Në total, 23.7% e popullsisë së grupmoshës 15-64 vjeç klasifikohet si ekonomikisht joaktive, pra persona që nuk punojnë dhe nuk janë duke kërkuar aktivisht punë.
Të dhënat tregojnë se grupi më i madh i kësaj popullsie përbëhet nga nxënësit dhe studentët. Po ashtu, në vitin 2025 është rritur edhe paga mesatare në Shqipëri, e cila rezulton 84.112 lekë, duke shënuar një rritje prej 8.6% krahasuar me vitin 2024./et
