Last Updated on 23/06/2026 by EL
Të paktën 18 persona kanë humbur jetën në Francë për shkak të një vale të nxehti që përfshiu Evropën.
Sipas autoriteteve franceze, në jug të Francës, dy fëmijë të moshës 2 dhe 4 vjec humbën jetën pasi u gjetën pa ndjenja në një makinë familjare të parkuar pranë shtëpisë së tyre.
Prokuroria në Carpentras ka konfirmuar se ata nuk kanë mundur të mbijetojnë nga temperaturat ekstreme brenda automjetit.
Në të njëjtën valë të të nxehtit, në rajonin e Bordosë, tre persona të moshuar, të moshës nga 80 deri në 95 vjeç, kanë humbur jetën gjatë fundjavës për shkak te komplikacioneve shëndetësore të lidhura me temperaturat shumë të larta.
Ndërkohë, autoritetet franceze raportojnë edhe një rritje të numrit të mbytjeve, me 40 viktima që nga 18 qershori. Shërbimet e sigurisë civile u kanë bërë thirrje qytetarëve të përdorin vetëm zona të mbikëqyrura për not. Në Spanjë, qyteti i San Sebastianit, i njohur tradicionalisht për klimë më të freskët, është përballur me temperatura rreth 40 gradë Celsius, shumë mbi mesataren historike për këtë periudhë.
Meteorologët shpjegojnë se kjo situatë është shkaktuar nga një bllokim atmosferik i quajtur “Omega”, i cili sjell masa të nxehta ajri nga Afrika e Veriut dhe Saharaja, duke krijuar kushte të qqndrueshme dhe pa erë, që e përforcojnë nxehtësinë.
Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, meteorologët paralajmërojnë një valë të fortë etë nxehti me temperatura që mund të kalojnë 39 gradë Celsius, duke thyer rekordede që datojnë që nga viti 1957 dhe 1976.
Në Itali, janë shpallur alarme të kuqe për valën e të nxehtit në 12 qytete, ndërsa rrjeti elektrik po përballet me mbingarkesë dhe ndërprerje të herëpashershme të energjisë.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po e bëjnë Evropën më të ekspozuar ndaj valëve ekstreme të të nxehtit, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive.
Autoritetet në vendet e prekura u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta dhe të marrin masa mbrojtëse ndaj temperaturave ekstreme./ET
