Last Updated on 23/06/2026 by EL
Jetmir Pepa, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është arrestuar në Dubai dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë për t’u përballur me drejtësinë.
Pepa dyshohet si pjesë e një grupi kriminal që u godit pak kohë më parë nga SPAK, në kuadër të një operacioni kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme, organizata kriminale ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt disa vendeve europiane.
Hetimet kanë zbuluar se të ardhurat e siguruara nga aktiviteti i paligjshëm dyshohet se janë investuar më pas në sektorë të ndryshëm në Shqipëri, me qëllim pastrimin e parave dhe fshehjen e origjinës së tyre.
Autoritetet shqiptare dhe ato të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë bashkëpunuar për lokalizimin dhe arrestimin e Pepës, ndërsa procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë pritet të nisin në vijim./et
