Për të dytin muaj radhazi ka vijuar rënia e konsumit të karburanteve në vend, për shkak të çmimit të lartë përgjatë kësaj periudhe. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, tregojnë se ashtu sikurse në muajin Prill, edhe në Maj sasia e karburanteve të importuara dhe zhdoganuara në muajin rezulton në rënie në raport me Maj 2025.
Konkretisht gjatë muajit që lamë pas u zhdoganuan 55.4 mijë ton karburante nga 59.8 mijë ton që u importuan në Maj 2025, duke pësuar një rënie prej 4.4 mijë ton.
Por edhe nëse do të bëjmë një krahasim si 5-mujor, vihet re se për Janar-Maj 2026 janë importuar 263.1 mijë ton karburante dhe rreth 16.1 mijë ton më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, muaji Mars dhe në vijim solli një rritje të ndjeshme të çmimit të naftës dhe benzinës në vend, duke arritur në nivele rreth 224 lekë/litër, duke nxitur vënien në funksion të Bordit të Transparencës me qëllim përcaktimin e çmimeve tavan të shitjes me shumicë dhe pakicë. Megjithatë, duke qenë se ditëve të fundit ka pasur një lloj stabilizimi të çmimeve, qeveria vendosi shfuqizimin e Bordit.
Sa i takon mallrave të tjerë të akcizës, vihet re rritje e importeve gjatë muajit Maj 2026 për cigaret, kafenë dhe birrën.
Konkretisht janë importuar 334 ton cigare, me rritje prej 89 ton në raport me Maj 2025, 1039 ton kafe, që gjithashtu rezulton me rritje prej 10 ton krahasuar me muajin Maj të vitit të kaluar. Importi i birrës po ashtu është rritur, ku u zhdoganuan 5375 ton në Maj të 2026. Ndërsa si 5-mujor, importi i cigareve, kafesë dhe birrës rezultojnë me rënie. Pritshmëritë janë që për shkak të nisjes së sezonit turistik veror, konsumi të shtohet në vijim për këto mallra, duke qenë se aktivitet e shërbimeve do të jenë në funksion të plotë të pushuesve vendas dhe turistëve të huaj./mxh
