Nuk janë tarifat doganore. Të paktën jo ende. Dhe as sanksione të mirëfillta. Por mesazhi që Pekini i ka dërguar Uashingtonit ka mbërritur i fortë dhe i qartë: nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të zgjerojnë listat e tyre të zeza ndaj kompanive kineze të konsideruara të lidhura me aparatin ushtarak, përgjigjja nuk do të vonojë.
Më 22 qershor, Kina përfshiu dhjetë kompani amerikane në listën e saj të kontrollit të eksporteve, duke u ndaluar kompanive kineze t’u furnizojnë produkte dhe teknologji me përdorim të dyfishtë, pra që mund të përdoren si në fushën civile ashtu edhe në atë ushtarake.
Në të njëjtën kohë, ministria e Financave në Pekin përjashtoi edhe 46 kompani të tjera amerikane nga pjesëmarrja në tenderët publikë kinezë, një masë që godet kryesisht sektorin e mbrojtjes.
Në letër, bëhet fjalë për një kundërpërgjigje ndaj vendimeve të marra disa javë më parë nga Pentagoni, i cili zgjeroi të ashtuquajturën listë “1260H” të kompanive të konsideruara të lidhura me ushtrinë kineze. Mes emrave të rinj figurojnë kompani të rëndësishme të ekonomisë kineze si Alibaba, Baidu, Byd dhe Nio, të cilat kanë mohuar akuzat për lidhje me forcat e armatosura të Pekinit. Por pas këtij shkëmbimi të zakonshëm goditjesh diplomatike fshihet diçka më interesante.
Objektivat kineze
Mes dhjetë kompanive të vendosura në shënjestër nga Kina përfshihen prodhuesit e dronëve Teal Drones dhe Jaia Robotics, prodhuesi i elektronikës Aveox Inc me seli në Kaliforni, Ball Aerospace & Technologies Corp dhe furnizuesi i pajisjeve ushtarake Oshkosh Defense. Por mbi të gjitha: Mp Materials dhe Usa Rare Earth, dy kompani që përbëjnë një nga shtyllat e strategjisë amerikane për të ulur varësinë nga Kina në tokat e rralla.
Mp Materials menaxhon minierën e vetme të tokave të rralla aktualisht aktive në Shtetet e Bashkuara dhe mbështetet financiarisht nga Pentagoni. Ndërsa Usa Rare Earth është e angazhuar në zhvillimin e një zinxhiri kombëtar furnizimi që shkon nga nxjerrja deri te prodhimi i magnetëve të përhershëm të përdorur në elektronikën e avancuar, energjitë e rinovueshme dhe sistemet ushtarake.
Zgjedhja e objektivave nuk duket rastësore. Prej më shumë se një viti, Uashingtoni po investon miliarda dollarë për të ndërtuar një zinxhir alternativ furnizimi ndaj atij kinez, ndërsa Pekini vazhdon të mbajë një pozicion dominues në nxjerrjen, rafinimin dhe sidomos përpunimin e tokave të rralla. Një superioritet që muajt e fundit është kthyer në një instrument të vërtetë gjeopolitik përmes një sërë kontrollesh të eksportit që kanë shkaktuar tensione në zinxhirët prodhues perëndimorë.
Sulm simbolik
Vendimi i 22 qershorit nuk përbën një bllokim të furnizimeve globale dhe as nuk pritet të ketë efekte të menjëhershme mbi kompanitë e prekura. Shumë analistë e përshkruajnë si një masë kryesisht simbolike, pasi një pjesë e madhe e kompanive të goditura ka prani të kufizuar ose aspak në tregun kinez. Megjithatë, vlera politike e këtij veprimi është e qartë. Pekini kërkon të tregojë se ende zotëron leva të rëndësishme në sektorët më të ndjeshëm të konkurrencës teknologjike me Shtetet e Bashkuara. Dhe mbi të gjitha, kërkon t’i kujtojë Uashingtonit se loja nuk luhet më vetëm me tarifa doganore.
Tokat e rralla janë kthyer në një nga fushëbetejat kryesore të rivalitetit të ri industrial mes dy superfuqive. Ato përdoren për prodhimin e gjysmëpërçuesve, automjeteve elektrike, turbinave me erë, radarëve, raketave dhe sistemeve të avancuara të mbrojtjes. Kush kontrollon këto materiale, kontrollon një pjesë gjithnjë e më të madhe të ekonomisë së së ardhmes.
Një fazë e re e luftës tregtare
Koha e vendimit shton një element tjetër me interes. Masat vijnë vetëm disa javë pas samitit mes Donald Trump dhe Xi Jinping, i cili kishte shënuar një përpjekje për zbutje pas muajsh tensionesh tregtare. Pikërisht për këtë, vëzhguesit nuk flasin për një luftë të re tregtare, por për një fazë tjetër: më pak e përqendruar te tarifat dhe gjithnjë e më shumë te kontrolli i teknologjive, lëndëve të para kritike dhe zinxhirëve globalë të vlerës.
Me fjalë të tjera, përgjigjja kineze nuk duket e destinuar të prishë dialogun mes Uashingtonit dhe Pekinit. Por ajo jep një pasqyrë shumë të qartë të drejtimit që po merr përplasja mes dy ekonomive më të mëdha të planetit: një garë që zhvillohet gjithnjë e më pak në dogana dhe gjithnjë e më shumë në laboratorë, miniera dhe zinxhirë strategjikë./mxh
