Po shtohen në mbarë botën rastet e stresit nga nxehtësia, një gjendje që ndodh kur organizmi ka vështirësi të rregullojë temperaturën e tij të brendshme për shkak të vapës së tepërt.
Nëse në vitin 1970 kjo prekte 16% të popullsisë globale, sot përqindja ka arritur në 22%, që do të thotë rreth një miliard njerëz më shumë.
Ndër zonat më të cenueshme, së bashku me Afrikën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe pjesën jugore të Amerikës së Veriut, renditet edhe Evropa Jugore.
Këtu, numri mesatar i episodeve të stresit termik është rritur nga 112 në 133 gjatë periudhës 2015-2024. Krahasuar me vitet ’70 të shekullit të kaluar, mund të regjistrohen deri në 50 ditë dhe net më shumë në vit me vapë përvëluese dhe rrezik të lartë për stres nga nxehtësia.
Këto janë përfundimet e një studimi të publikuar në revistën shkencore Nature Climate Change, i kryer nga European Centre for Medium-Range Weather Forecasts (ECMWF), me seli në Reading të Mbretërisë së Bashkuar dhe në Bonn.
Megjithëse valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive, ekzistojnë ende pak të dhëna mbi mënyrën se si ka ndryshuar perceptimi i njerëzve ndaj këtyre fenomeneve gjatë dekadave të fundit. Stresi nga nxehtësia, ose stresi termik, nuk ndikohet vetëm nga temperatura e ajrit, por edhe nga faktorë të tjerë si lagështia, era dhe rrezatimi diellor.
Për ta vlerësuar këtë fenomen, autorët e studimit të udhëhequr nga Rebecca Emerton, ku përfshihen edhe dy studiuese italiane që punojnë jashtë vendit, përdorën Indeksin Universal Klimatik Termik (UTCI). Ky indeks merr parasysh të gjithë faktorët e mësipërm për të matur temperaturën që percepton organizmi dhe reagimin e tij ndaj mjedisit.
Duke analizuar të dhënat nga viti 1950 deri në vitin 2024, studiuesit zbuluan se temperaturat e perceptuara kanë filluar të rriten që nga vitet ’70.
Episodet e stresit të fortë termik janë përkeqësuar veçanërisht gjatë netëve më të nxehta dhe më të lagështa, të njohura si “netët tropikale”, ku temperatura e perceptuar është rritur me 0,32 gradë Celsius për çdo dekadë. Ndërsa gjatë ditëve që perceptohen si më përvëluese, rritja ka qenë 0,27 gradë për dekadë.
Nëse në fillim ekspozimi ndaj të paktën një dite me stres termik ekstrem prekte 16% të popullsisë botërore, sot ai prek 22%, që përkthehet në rreth një miliard njerëz më shumë.
Rezultatet tregojnë se stresi termik po rritet në frekuencë, intensitet dhe kohëzgjatje, si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës.
Kjo nënvizon nevojën për masa mbrojtëse për shëndetin e popullsisë, si krijimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm, ndërhyrjet për ftohjen e zonave urbane dhe përfshirja e parametrave të stresit termik në vlerësimet e rrezikut klimatik./mxh
