Në një lidhje live për Euronews Albania me Thimi Samaraxhiun, komandanti Hysni Gucati dha më shumë detaje sa i përket debatit lidhur me Dritan Goxhajn dhe dokumentet e publikuara nga Kryeministri Rama, nëse ato janë autentike dhe cili ka qenë roli i Dritan Goxhajt si anëtar i luftëtarëve të UÇK-së.
Sipas tij, dokumenti i publikuar nga Kryeministri Rama përsa i përket firmës është origjinale dhe i përket komandant Plakut, teksa thekson se Dritan Goxhaj nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës.
“Po, duke njohur firmën e komandant Plakut, se komandant Plakun e ka njohur personalisht edhe komanda, por edhe familjen e tij e njoh personalisht dhe firma është e komandant Plakut, është origjinale. E Xheladin Gashit është origjinale firma.
Firma është origjinale, përmbajtjen e letrës e kam lexuar, e kam parë, por firma është origjinale e komandant Plakut, i cili e ka nënshkruar në atë kohë në territorin apo në tokën e Shqipërisë. Unë Dritan Goxhajn e kam njohur vonë. Unë babanë e tij e kam njohur më herët.
Dritan Goxhaj është mirë të dalë e të deklarojë se në cilën zonë operative ka qenë në luftë, në cilën brigadë ka qenë në luftë dhe çfarë ka vepruar në territorin e Kosovës apo të Shqipërisë që ka punuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Unë e njoh në respekt për këtë kështu, por për Dritan Goxhajn vetëm një gjë garantoj apo mund t’ju flas 100%, Dritan Goxhaj nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës. Kjo është e vërtetë.
Tani, nuk ka dokumentacion, nuk ka certifikatë të veteranit, nuk ka letërnjoftim tek ne, nuk ka aplikacion të mundshëm dhe nuk ka kartelë të veteranit. Kjo është e vërtetë 1 milion për qind. Për këtë që flas, jap llogari unë, jap llogari para Zotit dhe para njeriut”, u shpreh ai./ad
