Kremlini vuri sot në dyshim gatishmërinë e Evropës për t’u angazhuar në bisedime për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe rivendosjen e marrëdhënieve me Rusinë.
“Para së gjithash, duhet të jemi të sigurt se ekziston një dëshirë nga ana e Evropës për të zhvilluar dialog”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për perspektivat e negociatave të mundshme.
Sipas Peskovit, megjithëse ka pasur disa sinjale interesi, ato kanë qenë kontradiktore.
Ai iu referua debatit në Bruksel lidhur me kontaktet mes presidentit të Këshilli Evropian, Antonio Costa, dhe Moskës.
Javën e kaluar u bë e ditur se zyra e Costës kishte kontaktuar Moskën në përpjekje për të hapur kanale komunikimi për negociata të mundshme në të ardhmen.
Ndër ata që shprehën pakënaqësi ishte qeveria gjermane, e cila deklaroi se nisma nuk ishte koordinuar paraprakisht.
Peskov tha se Rusia është e gatshme për dialog, duke përsëritur njëkohësisht vijat e kuqe të kahershme të Moskës.
Ai tha se përfundimi i luftës do të kërkonte që Ukraina të tërhiqej nga të gjitha territoret e mbetura që kontrollon në rajonin e diskutueshëm lindor të Donetsk.
Peskov e përshkroi luftën në Ukrainë si një nga shumë konfliktet rajonale, numri i të cilave po rritet për shkak se shtetet po e kanë gjithnjë e më të vështirë të arrijnë marrëveshje për çështjet e sigurisë.
Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e parandalimit bërthamor.
“Përveç ekuilibrit bërthamor, nuk na ka mbetur asgjë tjetër në botë. Është i vetmi faktor që ende po na shpëton nga një luftë botërore”, tha Peskov./mxh
