Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar sot, 24 qershor, se ushtria izraelite nuk do të largohet nga jugu i Libanit, edhe nëse një kërkesë e tillë vjen nga Shtetet e Bashkuara.
“Nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne nuk po tërhiqemi”, tha Katz, duke argumentuar se kthimi i banorëve në zonat e prekura do të krijonte rrezik për sulme ndaj ushtarëve izraelitë.
Ai u referua zonave të sigurisë të së kaluarës në Liban, ku sipas tij kishte pasur sulme dhe shpërthime kundër forcave izraelite. Katz tha se rreth 200 mijë banorë të zhvendosur nga luftimet nuk do të mund të rikthehen pa u garantuar siguria.
Kujtojmë se vetëm para pak ditësh, Katz bëri një deklaratë tronditëse. “Kreu i Hezbollahut, Naim Qassem, po luan me zjarrin dhe ai zjarr do të djegë Hezbollahun dhe të gjithë Libanin”, tha ai.
Shtoi se presidenti libanez Joseph Aoun po “luan me të ardhmen e Libanit” dhe se Izraeli nuk do të pranojë një armëpushim.
Sipas tij, ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu kanë urdhëruar ushtrinë izraelite të përgjigjet me “forcë dërrmuese” ndaj çdo sulmi, kërcënimi apo shkeljeje të sovranitetit izraelit./mxh
