Franca ka konfirmuar rastin e parë të Ebolës – një mjek që ishte kthyer nga një mision humanitar në Republikën Demokratike të Kongos.
Mjeku u “pranua menjëherë në një strukturë të specializuar” dhe është në gjendje të qëndrueshme, tha të mërkurën ministria franceze e shëndetësisë.
Republika Demokratike e Kongos njoftoi një shpërthim të Ebolës muajin e kaluar, por ekspertët besojnë se virusi kishte qarkulluar për javë të tëra më parë.
Më shumë se 260 persona janë konfirmuar të kenë vdekur nga virusi në vendin e Afrikës Qendrore, ndërsa 1.000 persona janë infektuar.
Ky është rasti i parë i konfirmuar me Ebola në Evropë, megjithëse një mjek amerikan që rezultoi pozitiv në Republikën Demokratike të Kongos u trajtua në një spital gjerman muajin e kaluar.
Fqinji i RD të Kongos, Uganda, ka konfirmuar gjithashtu raste të Ebolës. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se 20 persona dihet se janë infektuar atje dhe dy vdekje janë konfirmuar.
Në deklaratën e saj të mërkurën, ministria e shëndetësisë e Francës theksoi se rreziku për popullsinë ishte “shumë i ulët”.
ministria shtoi se autoritetet po punonin për të gjetur njerëzit që mund të kenë qenë në kontakt me mjekun.
Punonjësit e kujdesit shëndetësor janë veçanërisht në rrezik nga Ebola, e cila përhapet përmes lëngjeve trupore.
Javën e kaluar, OBSH-ja tha se 17 nga 75 punonjësit e shëndetësisë që ishin infektuar me Ebola në RD të Kongos kishin vdekur.
Shpërthimi aktual i Ebolës u shkaktua nga specia Bundibugyo e virusit, për të cilën aktualisht nuk ka vaksinë.
Franca ka ngritur një “sistem të dedikuar monitorimi” për punonjësit e ndihmës që kthehen nga Republika Demokratike e Kongos, tha ministria e shëndetësisë.
Sipas Qendrave të Afrikës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) dhe autoriteteve të shëndetit publik në SHBA, shpërthimi aktual i Ebolës ka potencialin të jetë një nga më të mëdhenjtë ndonjëherë.
Në RD të Kongos, rastet aktualisht janë të përqendruara në provincat lindore të Iturit, Kivu Jugor dhe Kivu Verior.
Ituri mbetet qendra kryesore e transmetimit, duke përbërë më shumë se 90% të infeksioneve të konfirmuara./mxh
