Last Updated on 25/06/2026 by Anisa
Presioni ndaj kryeministrit Edi Rama duket se po rritet, ndërsa përveç pakënaqësive qytetare në rrugë, tashmë po shfaqen edhe kritika nga figura me histori brenda PS-së.
Një nga zërat që është rikthyer në debatin publik është ish-ministri socialist Ndre Legisi, i cili ka dalë hapur kundër mënyrës së drejtimit të partisë nga Rama.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Legisi ka mbështetur qëndrimin e ish-deputetit dhe themeluesit të FRESSH, Ilir Zela, duke theksuar se Partia Socialiste sipas tij është larguar nga vlerat mbi të cilat u ngrit.
“Nxjerrja e Partisë Socialiste nga llumi ku e futi Edi Rama është detyrim i socialistëve të viteve të sakrificave”, është shprehur Legisi, duke përdorur një gjuhë të fortë ndaj drejtimit aktual të partisë.
Ky reagim erdhi pas deklaratave të forta të Ilir Zelës, i cili i konsideroi protestat e të rinjve për demokraci dhe ndryshim si të drejta. Ai kritikoi qeverisjen aktuale, duke ngritur akuza për përqendrim të pushtetit, probleme me korrupsionin dhe largim nga identiteti tradicional i së majtës.
Ndre Legisi është një nga figurat e hershme të Partisë Socialiste dhe ka mbajtur poste drejtuese në qeveri gjatë viteve të para të tranzicionit politik shqiptar. Pas tërheqjes nga skena publike, ai është fokusuar në jetën private dhe angazhimet personale si fermer./ad

