Komisioni Evropian ka bërë të ditur se partnerët e financuar nga Bashkimi Evropian tashmë janë duke ofruar ndihmë në Venezuelë, pasi vendi u godit nga dy tërmete të fuqishme që shkaktuan viktima dhe dëme të mëdha.
Komisionerja e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, deklaroi sot se institucionet evropiane po ndjekin nga afër zhvillimet në terren përmes stafit dhe partnerëve të tyre humanitarë.
“Po e monitorojmë situatën me stafin tonë në terren dhe partnerët tanë. Jemi të gatshëm të rrisim më tej ndihmën”, tha Lahbib.
Sipas një zëdhënëseje të Komisionit Evropian, ndihma e financuar nga BE-ja në Venezuelë përfshin aktualisht operacione kërkim-shpëtimi të kryera nga Kryqi i Kuq, në mbështetje të autoriteteve vendase.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, shprehën ngushëllimet e tyre në rrjetin social X në gjuhën spanjolle.
“Po mendoj veçanërisht për viktimat dhe familjet e tyre. Jemi pranë jush”, shkroi Von der Leyen.
Ndërsa Antoni Costa theksoi se Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet të plotë me popullin venezuelian dhe është i gatshëm të mbështesë përpjekjet emergjente në bashkëpunim me partnerët humanitarë gjatë kësaj periudhe të vështirë./mxh
