Kombet e Bashkuara kanë nisur një operacion të gjerë humanitar në Venezuelë pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin, duke vendosur si prioritet kryesor kërkim-shpëtimin e personave të bllokuar nën rrënoja.
Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, Jens Laerke, deklaroi se sistemi humanitar ndërkombëtar po vepron me shpejtësi dhe në shkallë të gjerë, duke mbështetur autoritetet vendase në përballimin e katastrofës.
Sipas OKB-së, 25 ekipe ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit dhe ndihmës mjekësore, me rreth 1 mijë persona, po dërgohen në Venezuelë. Në operacion janë përfshirë ekipe nga Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Italia, Kolumbia, Kili, Meksika dhe vende të tjera.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin vlerëson se deri në 6.76 milionë njerëz mund të jenë prekur nga pasojat e tërmeteve, ndërsa vetëm në kryeqytetin Karakas mund të jenë prekur rreth 2 milionë banorë.
Drejtori i Emergjencave i Organizatës Pan-Amerikane të Shëndetësisë, Ciro Ugarte, paralajmëroi se numri i viktimave dhe të plagosurve pritet të rritet në ditët në vijim, ndërsa ekipet vazhdojnë kërkimet dhe vlerësimin e dëmeve.
Spitalet në zonat e prekura po trajtojnë persona me fraktura, dëmtime në kokë dhe djegie të shkaktuara nga shembjet e ndërtesave. Autoritetet venezueliane kanë njoftuar se deri tani 235 persona të vdekur janë dërguar në qendrat mjekësore, por bilanci përfundimtar ende nuk është përcaktuar./mxh
