Grupi gjerman i automobilave “Volskwagen” planifikon të thellojë programin e uljes së kostove, duke synuar shkurtime të reja të vendeve të punës dhe mbylljen e disa fabrikave në Gjermani, raportoi sot revista “Manager Magazin”, duke cituar burime të brendshme.
Sipas raportit, numri i vendeve të punës që mund të humbasin në nivel global mund të arrijë deri në 100 mijë, dyfish më shumë se plani i shpallur më parë.
Kjo do të nënkuptonte edhe 50 mijë vende të tjera pune të shkurtuara krahas atyre të njoftuara tashmë.
Masat janë pjesë e strategjisë së re të kompanisë deri në vitin 2030, e cila u diskutua nga bordi ekzekutiv të mërkurën.
Vendimi përfundimtar pritet të merret nga bordi mbikëqyrës në mbledhjen e planifikuar më 9 korrik.
Revista shkruan se katër fabrika në Gjermani mund të mbyllen në afat të mesëm.
Bëhet fjalë për uzinat e “Volkswagen” në Hanover, Zwickau dhe Emden, si edhe për fabrikën e “Audi” në Neckarsulm.
Megjithatë, raporti nuk specifikon një datë konkrete për zbatimin e këtyre masave, duke theksuar vetëm se ato mund të realizohen “në afat të mesëm”.
Aktualisht, një marrëveshje mes “Volkswagen” dhe sindikatës “IG Metall” garanton ruajtjen e vendeve të punës në fabrikat gjermane të grupit të paktën deri në vitin 2030.
“Volkswagen” kishte njoftuar më herët se deri në vitin 2030 do të shkurtojë 50 mijë vende pune në të gjithë grupin, nga të cilat 35 mijë i përkasin markës kryesore “Volkswagen”.
Nëse raporti i “Manager Magazin” konfirmohet, numri total i vendeve të punës që do të eliminohen mund të arrijë në rreth 100 mijë./mxh
