Millie Bobby Brown ka folur hapur për gjendjen e saj emocionale pas përfundimit të serialit “Stranger Things”, duke treguar se ndarja nga projekti ishte shumë më e vështirë sesa e kishte imagjinuar.
Në një intervistë të dhënë më 24 qershor në podcastin “Happy Sad Confused”, aktorja rrëfeu se pasi pa episodin e fundit së bashku me familjen e saj, kaloi një periudhë të vështirë emocionale.
“Kam qarë pothuajse gjatë gjithë janarit dhe përjetova një depresion të lehtë. Ishte shumë e vështirë për mua. Nuk e prisja të ndihesha kështu pas përfundimit të serialit. Jam një njeri shumë i lumtur dhe pa merak”, u shpreh ajo.
Brown tregoi se gjatë atij muaji telefonoi të gjithë bashkëaktorët e saj për t’u siguruar se marrëdhëniet mes tyre mbeteshin të njëjtat, pasi po i jepte lamtumirën një pjese të rëndësishme të fëmijërisë së saj.
Aktorja interpretoi personazhin Eleven (Jane Hopper) përgjatë pesë sezoneve dhe më shumë se 40 episodeve gjatë dekadës së fundit. Në serial ajo luajti përkrah Noah Schnapp, Gaten Matarazzo, Finn Wolfhard, Joe Keery dhe Caleb McLaughlin.
“Ndoshta menduan se isha e çmendur. U thoja: ‘Jemi ende miq, apo jo? Nuk do të ndalosh së foluri me mua?’. U kërkoja falje nëse ndonjëherë i kisha lënduar dhe përpiqesha të rregulloja çdo gjë”, tha ajo.
“Atyre u thoja: ‘Kanë kaluar 10 vjet dhe dua vërtet të mbetemi miq. Je si vëllai im’. Më pas isha në plazh, gjithçka ishte e mrekullueshme, por thjesht rrija dhe qaja. Ishte një periudhë shumë e vështirë për mua”, shtoi Brown.
Ajo theksoi se, duke qenë se iu bashkua serialit kur ishte vetëm 10 vjeç, personazhi i Eleven ishte bërë pjesë e identitetit të saj, ndërsa bashkëaktorët ishin njerëzit me të cilët kishte kaluar më shumë kohë sesa me familjen.
“T’i thoja lamtumirë ishte diçka jashtëzakonisht emocionale. Eleven do të më mungojë më shumë se çdo gjë tjetër”, përfundoi aktorja./mxh
