Last Updated on 27/06/2026 by Anisa
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka komentuar në Euronews Albania vendimin për shpalljen “të padëshiruar” të shtetases Ikballe Huduti, një shtetase e Kosovës, e dyshuar për lidhje me Iranin.
Sipas ministrit, vendimi është marrë pas një procesi të gjatë mbledhjeje dhe analizimi të informacionit nga institucionet ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se strukturat e sigurisë në Shqipëri, përfshirë policinë, antiterrorin dhe shërbimet inteligjente, punojnë në mënyrë të vazhdueshme për të monitoruar persona që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë publike apo kombëtare.
“Ne kemi vepruar duke akumuluar dhe përpunuar të gjithë informacionin që kemi disponuar kohë më parë në fakt mbi këtë shtetase, ashtu siç kemi edhe në mënyrë periodike të përditshme, ne mbledhim informacion si agjencitë ligjzbatuese, policia, antiterrori dhe shërbimi inteligjent, në bashkëpunim dhe me partnerët. Mbledhim informacion për shtetas të ndryshëm të cilët po bëjnë kërcënim për sigurinë, sigurinë publike apo atë kombëtare, dhe për interesin publik.
Sigurisht, ministri i Brendshëm disponon gjithashtu edhe përmes urdhrave të përgjigjjes parandaluese, ku kërkohet dhe miratimi, autorizimi i GJKKO-s, kurdoherë që ka dyshime për financim të terrorizmit, nxitje të dhunës, nxitje të urrejtjes, dhe patjetër domethënë kjo është puna jonë funksionale.
Theksoj edhe njëherë që kjo çështje ka të bëjë kohë më parë dhe duhet bërë e qartë për të gjithë, për të gjithë publikun, që ne absolutisht respektojmë të drejtën e çdokujt për të protestuar, po kështu dhe dëgjojmë shqetësimet e çdo protestuesi i cili sinqerisht shpreh mendimin e tij ndryshe. Por, pjesëmarrja në protestë nuk mund të përbëjë kurrsesi imunitet për këtë do që ka një agjendë të caktuar, e dokumentuar kjo edhe nga agjencitë e zbatimit të ligjit,”u shpreh Lamallari./ad
