Last Updated on 27/06/2026 by Anisa
Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar pasditen e së premtes kryerjen e disa kontrolleve të befasishme në shtëpisë e ish-zyrtarëve të Hipotekës së Vlorës dhe në zyrat e vetë institucionit, ku në fokus ka qenë tjetërsimi i pronave.
Ato janë justifikuar për shkak të hetimeve që janë duke u kryer lidhur me një dosje penale, që ka objekt hetimi tjetërsimin e pronave në bregdetin e Orikumit, Radhimës dhe zonës së Dukatit.
Oligarkë të fuqishëm të lidhur dhe me banorë vendas kanë tjetërsuar dhe më pas hipotekuar sipërfaqe të tëra toke bujqësore, duke nxjerrë jashtë loje pronarët që kishin fituar ngastrat e tokës me ligjin 7501.
Siç mësohet, kallëzimi është depozituar nga një grup banorësh të Kuvendit të Orikumit, Radhimës dhe Dukatit, jo vetëm në Prokurorinë e Vlorës, por edhe në SPAK, për akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” në kuadër të “Grupit të Strukturuar kriminal”.
Kallëzimet janë kryer vitin e kaluar dhe pas një kohe verifikimesh është arritur në konkluzionin, që ditën e djeshme të realizohen kontrollet në disa banesa të ish-zyrtarëve dhe në zyrat e Hipotekës së Vlorës, raporton Gazetari Elton Qyno, për Syri Tv.
Nuk dihet me saktësi nëse janë gjetur sende me vlerë për hetimin dhe dokumente që lidhen me këtë hetim, por ndaj këtij rasti hetimet vijojnë të jenë në dinamikë e sipër./ad
