Last Updated on 28/06/2026 by Kesjana
Gjermania po përjeton valën e parë ekstreme të të nxehtit për këtë vit, me temperatura që në disa zona kanë kaluar 40 gradë Celsius. Në Berlin, policia ndërmori një masë të pazakontë për të ndihmuar qytetarët të përballojnë vapën, duke nxjerrë në rrugë dy automjete me topa uji, të përdorura zakonisht për kontrollin e turmave gjatë protestave.
Këtë herë, megjithatë, mjetet nuk u përdorën për sigurinë publike, por për të spërkatur me ujë kalimtarët në pika të njohura të kryeqytetit, si Porta e Brandenburgut, Potsdamer Platz dhe ndërtesa e Rajhshtagut. Veprimi u prit me entuziazëm nga banorët dhe turistët, të cilët kërkonin çdo mundësi për t’u freskuar.
Sipas të dhënave paraprake të Shërbimit Meteorologjik Gjerman, nata e kaluar ishte më e ngrohta e regjistruar ndonjëherë në vend. Në Kubschütz, në landin e Saksonisë, temperatura gjatë natës nuk zbriti nën 29.4 gradë Celsius, ndërsa të shtunën pasdite në Möckern-Drewitz, në Saksoni-Anhalt, u regjistruan 41.5 gradë Celsius.
Meteorologët paralajmërojnë se e diela pritet të jetë dita kulmore e valës së të nxehtit, me temperatura nga 37 deri në 41 gradë Celsius. Gjatë ditës dhe natës priten gjithashtu stuhi lokale, të shoqëruara me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta.
Megjithatë, nga nata e së hënës pritet një rënie e ndjeshme e temperaturave. Vlerat minimale do të zbresin në 19–23 gradë Celsius, ndërsa gjatë ditës temperaturat maksimale do të luhaten mes 27 dhe 31 gradëve, të shoqëruara me reshje shiu dhe stuhi të izoluara.
linku i videos
Sehr coole Aktion der Berliner Polizei bei den heißen Temperaturen heute!
3,2,1 🚿#B2706 pic.twitter.com/e7sjnc3IME— Rak (@RakMakkabi) June 27, 2026
