Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shoqërimin e disa serbëve dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për “Vidovdan”.
Policia bën me dije se ka shoqëruar 37 persona të cilët sipas tyre kanë provokuar me thirrje provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes. Në njoftim bëhet me dije se një personi i është vendosur gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Policia shton se personat e shoqëruar janë proceduar teksa thekson se pas përfundimit të aktiviteteve të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë.
“Ju njoftojmë se lidhur me manifestimet e “Vidovdan-it” mbajtur sot me datë 28.06.2026, Policia e Kosovës, me kohë ka ndërmarr masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar.
Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operativo-hetimore në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë të zhvillohen qetë dhe pa incidente.
Referuar informacioneve nga njësitet e angazhuar policore në teren nuk është raportuar ndonjë rast i cili ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të 37 personave në stacion policor për intervistim, të cilët kanë provokuar masën me thirrje provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes, në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe një personi i është shqiptuar gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku pas intervistimit 37 persona janë proceduar në gjykatë dhe janë në pritje të vendimit nga gjykata.
Pas përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë. Policia e Kosovës falënderon qytetaret për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar si dhe mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, njofton policia./et
