Irani ka konfirmuar se të mërkurën do të zhvillojë bisedime me ndërmjetësin Katar për zbatimin e marrëveshjes së përkohshme mes Teheranit dhe Uashingtonit, por ka përjashtuar mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit amerikanë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se diskutimet në Doha do të përqendrohen në zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit, përfshirë çështjen e lirimit të fondeve iraniane të bllokuara.
Ai theksoi se nuk është planifikuar asnjë takim, në asnjë nivel, mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara gjatë ditëve në vijim.
Deklarata vjen pasi Katari bëri të ditur se fondi prej 6 miliardë dollarësh i aseteve të ngrira iraniane nuk i është transferuar ende Teheranit. Doha ka sqaruar se administron këto fonde vetëm si ndërmjetës financiar, në përputhje me marrëveshjen e arritur mes dy vendeve.
Baghaei kritikoi gjithashtu Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, duke i bërë thirrje të përqendrohet në detyrat e tij dhe të shmangë, sipas tij, deklaratat me karakter politik.
Lidhur me tensionet në Ngushticën e Hormuzit, zëdhënësi iranian deklaroi se Republika Islamike është e vetëdijshme për përgjegjësitë e saj dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje nga vende të tjera. Ai shtoi se Irani do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të mbrojtur interesat e tij dhe për të garantuar zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.
Baghaei bëri të ditur gjithashtu se mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara funksionon vetëm një kanal komunikimi politik dhe jo një linjë komunikimi ushtarak.
Ndërkohë, ai tha se Teherani do të vlerësojë zhvillimet e ditëve në vijim përpara se të vendosë se kur dhe në çfarë forme do të rifillojnë negociatat për një marrëveshje përfundimtare.
Zhvillimet vijnë pas mbërritjes në Doha të të dërguarit amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët po zhvillojnë takime me zyrtarët katarianë në përpjekje për të ruajtur armëpushimin e përkohshëm dhe për të çuar përpara dialogun mes Uashingtonit dhe Teheranit./mxh
