Last Updated on 30/06/2026 by EL
Një grup i strukturuar kriminal, që sipas hetimeve të Policisë furnizonte me kokainë dhe kanabis zona pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në Tiranë, është goditur pas një hetimi disa mujor. Operacioni i koduar “Segmenti” përfundoi me arrestimin e shumicës së anëtarëve të rrjetit.
Në kuadër të këtij aksioni u ekzekutuan 14 masa sigurie “arrest në burg” dhe një masë “arrest në shtëpi”, ndërsa pesë persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas Policisë, të dyshuarit vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërndarë lëndë narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht pranë institucioneve arsimore.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara, uniformat blu sekuestruan 220 gramë kokainë, një pjesë të ndarë në doza për shitje, qindra doza kanabisi të gatshme për tregtim, si dhe 2.3 milionë lekë, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal. Gjithashtu, u gjetën dhe u sekuestruan dy tavolina pokeri, fisha dhe çipsa, që sipas Policisë përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit të paligjshme.
Gjatë operacionit u vu në pranga në flagrancë edhe një 22-vjeçar, të cilit iu gjet një armë zjarri pistoletë me municion.
Policia e Tiranës bën të ditur se operacioni “Segmenti” është rezultat i një hetimi të gjatë të kryer me metoda speciale hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë. Sipas autoriteteve, edhe në fazat e mëparshme të këtij hetimi ishin arrestuar shtatë persona të tjerë, ndërsa ishin sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike./et
