Presidenti amerikan Donald Trump ka pësuar një humbje të rëndësishme në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara. Me një vendim që pritet të ketë ndikim të madh gjatë mandatit të tij të dytë, gjykatësit rrëzuan përpjekjen e administratës për t’i hequr të drejtën e shtetësisë automatike në lindje fëmijëve të emigrantëve pa dokumente ose me viza të përkohshme, duke e shpallur antikushtetues urdhrin ekzekutiv që Trump nënshkroi në ditën e parë të rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.
Në të njëjtën ditë, megjithatë, Gjykata Supreme, ku shumicën e kanë gjyqtarët konservatorë, miratoi ndalimin e pjesëmarrjes së sportistëve transgjinorë në garat sportive për femra dhe hoqi një kufizim historik mbi financimin e koordinuar të fushatave zgjedhore mes partive politike dhe kandidatëve, një vendim që pritet të favorizojë veçanërisht republikanët në prag të zgjedhjeve të ndërmjetme.
Humbja për shtetësinë automatike në lindje
Vendimi për shtetësinë automatike në lindje (ius soli) përbën një nga disfatat më të mëdha ligjore të Trump-it në Gjykatën Supreme, pas vendimit të muajit shkurt kundër një pjese të tarifave të tij tregtare.
Me gjashtë vota pro dhe tre kundër, gjykata la në fuqi bllokimin e urdhrit ekzekutiv që synonte t’u mohonte shtetësinë amerikane fëmijëve të lindur në SHBA, në rastet kur asnjëri prej prindërve nuk ishte shtetas amerikan ose rezident i përhershëm.
Vendimi u hartua nga kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts, i cili e cilësoi të pabazuar interpretimin që administrata Trump i kishte bërë Amendamentit të 14-të të Kushtetutës.
Roberts iu referua precedentit historik të vitit 1898 në çështjen United States v. Wong Kim Ark, duke kujtuar se prej më shumë se një shekulli Gjykata e interpreton Kushtetutën si garantuese të shtetësisë për çdo person të lindur në territorin amerikan, me përjashtime shumë të kufizuara, si fëmijët e diplomatëve të huaj.
“Në atë kohë, ashtu si edhe sot, shtetësia nënkuptonte të drejtën për të pasur të drejta. Sot ne e mbajmë atë premtim”, shkroi Roberts.
Sipas vlerësimeve të paraqitura gjatë procesit, urdhri ekzekutiv mund të kishte prekur deri në 250 mijë fëmijë çdo vit.
Gjyqtari konservator Brett Kavanaugh u pajtua me rezultatin, por argumentoi se urdhri binte në kundërshtim para së gjithash me ligjin federal për shtetësinë, pa qenë e nevojshme që vendimi të mbështetej në Amendamentin e 14-të.
Një premtim kyç i fushatës së Trump
Vendimi godet një nga premtimet kryesore të fushatës së Trumpit. Presidenti kishte argumentuar se shtetësia automatike në lindje nxiste të ashtuquajturin “turizëm të lindjes” (birth tourism) dhe u mundësonte fëmijëve të emigrantëve pa dokumente të fitonin automatikisht shtetësinë amerikane.
Shtëpia e Bardhë kishte pretenduar se Amendamenti i 14-të ishte hartuar vetëm për t’u garantuar shtetësinë ish-skllavëve pas Luftës Civile dhe jo fëmijëve të emigrantëve. Gjykata e hodhi poshtë këtë interpretim, duke theksuar se më shumë se një shekull jurisprudencë kushtetuese dëshmon të kundërtën.
Vendimi u mirëprit nga prokurorët e përgjithshëm demokratë që kishin ngritur padinë. Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, e cilësoi atë si “një konfirmim të një parimi themelor të demokracisë amerikane”, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, deklaroi se shtetësia në lindje është “një garanci kushtetuese që ka përcaktuar identitetin e Shteteve të Bashkuara prej brezash”.
Gjykata mbështet ndalimin e sportistëve transgjinorë
Në një tjetër vendim me rëndësi, Gjykata Supreme mbështeti shtetet që ndalojnë sportistët transgjinorë të garojnë në kategoritë sportive për femra.
Gjykatësit vendosën se Idaho, Virxhinia Perëndimore dhe 25 shtete të tjera që kanë miratuar ligje të ngjashme mund t’i rezervojnë sportet e femrave vetëm për persona të seksit biologjik femër.
Sipas shumicës, të udhëhequr nga gjyqtari Brett Kavanaugh, mbrojtja e konkurrencës së ndershme dhe sigurisë së sportisteve justifikon këtë dallim. Edhe ky vendim konsiderohet një fitore për Trump-in, i cili e ka bërë kufizimin e të drejtave të personave transgjinorë një nga temat qendrore të administratës së tij.
Në platformën Truth Social, presidenti e quajti vendimin “një fitore të madhe”, duke deklaruar se Gjykata Supreme “ka vendosur përfundimisht se burrat nuk mund të garojnë në sportet e femrave”.
Hiqen kufizimet për financimin e fushatave
Vendimi i tretë i rëndësishëm i Gjykatës Supreme lidhet me financimin e fushatave zgjedhore.
Me një shumicë prej 6 votash kundrejt 3, gjykata hoqi kufizimet federale mbi shpenzimet e koordinuara mes partive politike dhe kandidatëve, duke argumentuar se ato bien ndesh me lirinë e shprehjes të garantuar nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës.
Padia ishte ngritur, mes të tjerëve, edhe nga zëvendëspresidenti aktual JD Vance, kur kandidonte për Senatin amerikan.
Vendimi pritet të rrisë më tej ndikimin financiar të partive të mëdha në zgjedhjet amerikane, në një kohë kur komitetet republikane disponojnë tashmë burime dukshëm më të mëdha financiare sesa demokratët. Me këtë vendim, Gjykata Supreme rrëzoi edhe një precedent të vitit 2001, duke vazhduar prirjen e shumicës konservatore për të lehtësuar kufizimet mbi financimin e politikës.
Trump e përshëndeti edhe këtë vendim në Truth Social, duke e cilësuar si “një fitore të madhe për republikanët dhe, mbi të gjitha, për Amendamentin e Parë”./mxh
