Gjermania përballet me një debat të ri mbi politikën energjetike, pasi kryetarja e partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, ka kërkuar rikthimin e importeve të naftës dhe gazit nga Rusia. Ajo argumentoi se energjia e lirë ruse ishte një nga shtyllat e suksesit të ekonomisë gjermane.
Në një intervistë për Reuters, Weidel tha se ndërprerja e furnizimeve nga Rusia pas nisjes së luftës në Ukrainë ka dëmtuar industrinë, ka rritur kostot e energjisë dhe ka çuar në humbjen e qindra mijëra vendeve të punës. Sipas saj, Gjermania është bërë më e varur nga importet energjetike amerikane, të cilat i cilësoi më të kushtueshme.
Deklaratat vijnë në prag të zgjedhjeve rajonale të shtatorit, ku AfD kryeson në sondazhe.
Ndërkohë, forcat kryesore politike në Gjermani vazhdojnë të refuzojnë bashkëpunimin me AfD-në, pasi e akuzojnë partinë se po përdor një retorikë pro-ruse për përfitime elektorale.
Nga ana tjetër, Weidel hodhi poshtë etiketimet ndaj partisë së saj si ekstremiste, duke deklaruar se AfD përfaqëson, sipas saj, interesat e qytetarëve të zakonshëm dhe se ardhja në pushtet nuk do të sillte ndryshime rrënjësore në rendin politik të Gjermanisë./mxh
