Eliminimi i Gjermanisë nga Kupa e Botës pas humbjes me penallti ndaj Paraguait ka hapur diskutime për të ardhmen e trajnerit Julian Nagelsmann.
Federata Gjermane e Futbollit ka nisur një analizë të detajuar të paraqitjes së skuadrës në turne. Presidenti Bernd Neuendorf deklaroi se objektivat e vendosura nuk u arritën dhe se rezultatet nuk përmbushën pritshmëritë. Ai bëri të ditur se pas eliminimit është zhvilluar një takim me Nagelsmann dhe stafin drejtues për të vlerësuar situatën. Sipas Neuendorf, Federata nuk mund të vazhdojë punën pa analizuar shkaqet e dështimit.
“Pas humbjes së hidhur kundër Paraguait dhe eliminimit nga Kupa e Botës, u ula për një kohë të gjatë me trajnerin e kombëtares Julian Nagelsmann dhe ekipin drejtues. Jemi dakord që paraqitja në Botëror nuk i përmbushi pritshmëritë tona.
Pas një dështimi të tillë dhe duke marrë parasysh sfidat që na presin, ne nuk mund dhe nuk do të kthehemi thjesht në punë si normalisht”, u shpreh kreu i Federatës.
Mediat gjermane raportojnë se pozitat e Nagelsmann janë dobësuar pas rezultateve të dobëta në kompeticionet e fundit madhore. Edhe pse trajneri ka kontratë deri në vitin 2028, e ardhmja e tij mbetet e paqartë. Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për drejtimin e kombëtares gjermane./mxh
