Last Updated on 01/07/2026 by Anisa
Ministrja Elisa Spiropali ka kujtuar shkrimtarin e madh Ismail Kadare në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke e cilësuar atë si një figurë të jashtëzakonshme për letërsinë dhe identitetin shqiptar. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali ka ndarë vlerësimet e saj të forta për veprën dhe ndikimin e Kadaresë.
Më poshtë postimi i plotë i Spiropalit në fb:
1 Korrik
Hyji Kadare nuk qe një ardhës dhe ikës i zakonshëm, një shëtitës, një kalimtar, ndër të shumtët e kësaj bote.
Hyji Kadare ishte i rrallë, i çmuar, i jashtëzakonshëm. Kadare ishte nga raca e qiellorëve, gjenialëve, profetëve. Atyre që popujve, kombeve, komuniteteve, bashkësive, racave, u sjellin fat kur janë në mjerim, u tregojnë zgjidhje kur janë në hall, në vështirësi, në moment kritik, u sjellin një udhërrëfyes kur nuk dinë nga t’ia mbajnë, kur zjarri po fiket dhe duhet ndezur, kur drita meket dhe duhet gjallëruar.
Hyji Kadare erdhi, mblodhi shkarpat, ndezi zjarrin, edukoi brezat, frymëzoi miliona individë, nuk la të degradojë shija, të shprishet estetika, të kalbet dëshira për të lexuar, punuar, kontribuar për një Shqipëri të mbarë e të begatë.
Kadare ushqeu shpirtërisht dhe lartësoi mendërisht një popull të tërë. Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi dhe largësi të panjohura më parë.
Mjerë kritizerët tru-kokallë që thonë se qe i tillë si shkrimtar, e i atillë si njeri, dhe broçkulla të tjera që Hyjit veçse ia shtojnë lavdinë, dhe mediokrit i hedhin në honet e harresës.
Ta nderojmë, respektojmë, kujtojmë në pafundësi, është më e pakta që duhet dhe mund ta bëjmë për Hyjin Kadare, që erdhi na fali gjithçka, dhe iku pa na marrë asgjë.
Mall/ad
