Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka denoncuar një tjetër skandal në Urgjencën e Spitalit të Lushnjës. Referuar pamjeve qe i ka dërguar një qytetar, Korreshi bën të ditur se ambientet e urgjencës në Lushnjë ndodhen në errësirë totale, pa energji elektrike.
Teksa ndodhet në Bruksel, përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, deputeti demokrat i është drejtuar ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, duke u shprehur se, nëse një situatë e tillë do të ndodhte në Bruksel, “do të ikje nga sytë këmbët për 24 minuta dhe jo për 24 orë”.
Sipas Korreshit, realiteti që përjetojnë qytetarët në Shqipëri nuk perceptohet nga zyrtarët në Bruksel.
Prej disa muajsh, deputeti demokrat ka denoncuar vazhdimisht problematikat në Spitalin e Lushnjës. Vetëm një muaj më parë, ai organizoi edhe një protestë, e cila u mbështet nga qytetarë të Lushnjës, të cilët u bashkuan për të kërkuar zgjidhje për problematikat që, sipas tyre, prekin drejtpërdrejt shërbimin shëndetësor./kb
