Last Updated on 01/07/2026 by EL
Nga janari i vitit 2028, lojërat e reja elektronike për platformën legjendare “PlayStation” nuk do të publikohen më në disqe.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompania, e cila përmes një komunikate ka saktësuar se lojërat e reja do të mund të blihen sërish në dyqan, por do të shoqërohen me një kod digjital.
Njoftimi vjen pak ditë pasi kompania “Rockstar” njoftoi se loja e shumëpritur “Grand Theft Auto 6” do të publikohet pa qenë e hedhur në një disk fizik.
Vendimi përbën një lëvizje domethënëse për industrinë e lojërave, që në vitet e fundit po bazohen më shumë në shpërndarjen digjitale.
Kompania “Sony” deklaroi se gjithçka është vendosur pasi preferencat e konsumatorëve dhe industrisë së argëtimit vazhdojnë të largohen nga disqet fizike tek opsionet digjitale.
“Ky është një vendim i natyrshëm për “Sony Interactive Entertainment”, në mënyrë që të përshtatet me trendin e konsumatorëve që po zgjedhin gjithnjë e më shumë alternativat digjitale ndaj atyre fizike”, thuhet në komunikatë.
Por lëvizja ka hasur kritika në forumet online, me gazetarët ekspertë të lojërave elektronike që e kanë quajtur atë një “goditje ndaj të drejtave të konsumatorit”.
“Kjo manovër përbën një shqetësim dhe një problem të madh për konsumatorët me të ardhura të ulëta, që zakonisht i marrin lojërat hua nga miqëtë, në pamundësi për t’u përballur me çmimet e larta”, ka deklaruar Vikki Blake.
Nga ana e saj, kompania “Sony” tha se kalimi në formatin digjital nuk do të ndikojë tek lojërat që tashmë janë publikuar, apo që do të publikohen përpara janarit 2028./et
