Last Updated on 02/07/2026 by Anisa
Analisti i njohur Ilir Demalia ka rrëfyer dhunën me të cilën u përball mëngjesin e së mërkurës, sapo doli nga shtëpia. Sipas tij, ai u sulmua nga dy persona për shkak se kishte bërë një denoncim në polici për një shkelje, duke e cilësuar këtë si një detyrë qytetare që duhet ta kryejë çdo individ
Demalia tha se nga sulmi ka pësuar dëmtime në sy dhe vetull, ndërsa do t’i nënshtrohet kontrolleve të mëtejshme mjekësore.
“Mirë le të themi jam. Kam një dhimbje në qepallën e syrit, ka një çarje tek vetulla, është qepur. Tani e ndiej që kam dhimbje në sy. Do të bëj kontrolle më vonë. Në fakt përpara një muaji, unë bëra një detyrë që duhet ta bëjë çdo qytetar. Që këto cubat, që dje kanë qenë baballarët e këtyre spiunave të sigurimit që kanë futur njerëz në burg, këta janë ata palaço cuba që sundojnë sot shoqërinë. Këtu fajin e ka shteti, sepse shteti ka lënë këta cuba të bëjnë si të duan vetë.
Unë sjell në vëmendje që nëse ke për të dalë nga pallati, nuk del dot, sepse aty ka parking makinash. Aty vjen policia të vendosin gjoba dhe të lirojnë një ditë. Të nesërmen vazhdojnë prapë. Pastaj sot po dilja nga shtëpia, nuk e kisha lajmëruar policinë, po policia bën detyrën e vet dhe çdo qytetar duhet ta bëjë, pra ky është edhe defekti i shoqërisë sonë, se qytetarët kanë frikë të mbrojnë vetveten nga pakicat rrugaçërore të cubave, që bëjnë ligjin tek njerëzit normal që duan të jetojnë qetësisht, për këto cuba nuk kam mëshirë edhe pas kësaj që ndodhi, nuk i fal asgjë. Nuk është rastësi, nuk është aksident. Kur dola më thanë që çfarë ke bërë, ke thirrur policinë, me fjalorin që dinë të përdorin ata”, tha Demalia për TCH.
Analisti theksoi se nuk e lidh ngjarjen me qëndrimet e tij publike apo politike, edhe pse, sipas tij, për shkak të tyre është përballur shpesh me urrejtje dhe kërcënime.
Ai u shpreh se në Shqipëri çdo person që punon, arrin sukses apo ka mendime ndryshe nga shumica, përballet me urrejtje. Sipas Demalisë, gjuha e urrejtjes dhe dhuna verbale janë bërë të zakonshme në jetën publike dhe ndikojnë negativisht edhe te brezat e rinj.
“Kur dola më thanë që çfarë ke bërë, ke thirrur policinë, me fjalorin që dinë të përdorin këta, që fatkeqësisht e ke përditë në Bulevard atë fjalor. Pavarësisht se thonë nuk ka dhunë, dhunë verbale ka gjatë 24 orëve. Kështu në këtë psikologji, marrin edhe fëmijët aty i mësojnë me këtë fjalor dhe fëmija rritet me atë urrejtje. Dhe do të kemi këtë prodhim kafshëror që kemi nëpër rrugët e Tiranës dhe rrugëve të tjera të Shqipërisë. Pra shteti duhet të marri masa të pamëshirshme”, tha ai.
Pasi la spitalin, Ilir Demalia deklaroi se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet dhe denoncimet e tij, duke theksuar se do të vazhdojë të shprehë mendimet dhe gjykimet e tij publikisht. Ai i bëri gjithashtu thirrje medias të luajë një rol më aktiv në sensibilizimin e opinionit publik dhe në përçimin e mesazheve kundër gjuhës së urrejtjes./ad
