Last Updated on 02/07/2026 by Kesjana
Për dekada me radhë, Urani dhe Neptuni janë cilësuar si “gjigantë akulli”, pasi shkencëtarët besonin se nën atmosferat e tyre të dendura të hidrogjenit dhe heliumit fshihej një shtresë e madhe e përbërë nga ujë, amoniak dhe metan në formë akulli. Por një studim i ri i kryer nga studiues të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA) hedh një hipotezë krejt tjetër: në brendësi të këtyre planetëve mund të shtrihet një oqean i madh magme dhe jo akull.
Urani dhe Neptuni mbeten ndër planetët më pak të studiuar të Sistemit Diellor. Vizita e vetme nga afër u krye nga sonda Voyager 2 e NASA-s, e cila kaloi pranë Uranit në vitin 1986 dhe Neptunit në vitin 1989. Që atëherë, asnjë mision tjetër nuk është dërguar drejt tyre, duke lënë shumë pikëpyetje mbi strukturën e tyre të brendshme.
Përmes simulimeve të avancuara kompjuterike, studiuesit analizuan madhësinë, dendësinë, fushën gravitacionale, shpërndarjen e masës, nxehtësinë e brendshme dhe përbërjen kimike të atmosferës së dy planetëve. Sipas tyre, të gjitha këto të dhëna përputhen më mirë me një model ku nën atmosferën me hidrogjen dhe helium ndodhet një oqean magme superkritike, i pasur me hidrogjen, dhe jo një shtresë e madhe akulli.
Modeli i ri parashikon tre shtresa kryesore: një atmosferë me hidrogjen dhe helium, një shtresë të ndërmjetme me hidrogjen, helium, magnez, monoksid silikoni dhe oksigjen, si edhe një oqean të thellë magme të përbërë nga silikate, hekur dhe hidrogjen të tretur. Sipas autorëve, aftësia e hidrogjenit për t’u tretur në magmë nën presione shumë të larta shpjegon më mirë dendësinë dhe disa veçori të pazakonta të Uranit dhe Neptunit, përfshirë fushat e tyre magnetike.
Nëse kjo teori konfirmohet, ajo mund të ndryshojë edhe mënyrën se si shkencëtarët kuptojnë të ashtuquajturit “sub-Neptunë”, planetët më të zakonshëm të zbuluar deri tani jashtë Sistemit Diellor. Urani dhe Neptuni mund të shërbejnë si laboratorë natyrorë për të studiuar këtë kategori planetësh, të cilët besohet se kanë një strukturë të ngjashme.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo mbetet një hipotezë shkencore dhe jo një përfundim përfundimtar. Konfirmimi i saj do të kërkojë misione të reja drejt Uranit dhe Neptunit. Aktualisht janë propozuar projektet Uranus Orbiter and Probe dhe Neptune Odyssey, por asnjëri nuk është miratuar ende. Për këtë arsye, dy planetët vazhdojnë të mbeten ndër më misteriozët e Sistemit Diellor./kb
