Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, do të udhëtojë drejt Iranit për të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore të lamtumirës për ish-Udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Jashtme pakistaneze.
Sipas zëdhënësit të ministrisë, Tahir Andrabi, Sharif do t’i përcjellë udhëheqjes iraniane dhe familjes së Khameneit ngushëllimet në emër të popullit dhe qeverisë së Pakistanit, duke rikonfirmuar solidaritetin me Iranin në këtë moment zie.
Ajatollah Ali Khamenei, i cili drejtoi Iranin për 36 vjet, u vra më 28 shkurt gjatë ditës së parë të sulmeve ajrore amerikano-izraelite ndaj Iranit. Ceremonia mortore do të nisë të shtunën në Teheran, ndërsa varrimi i tij do të zhvillohet më 9 korrik në qytetin e shenjtë të Mashhadit, vendlindja e tij.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Pakistanit bëri të ditur se Islamabadi dhe Katari kanë zhvilluar këtë javë në Doha një raund bisedimesh me përfaqësues amerikanë dhe iranianë, në përpjekje për të lehtësuar dialogun mes palëve.
Sipas autoriteteve pakistaneze, takimet kanë shënuar përparim pozitiv mbi çështjet e parashikuara në Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit, i cili bazohet në marrëveshjet e arritura gjatë samitit të Liqenit të Lucernës.
Palët kanë rënë dakord të vijojnë negociatat dhe të caktojnë një takim të ri sa më shpejt të jetë e mundur, pas përfundimit të ceremonive mortore për ish-udhëheqësin suprem të Iranit. Pakistani theksoi se do të vazhdojë të luajë rolin e ndërmjetësuesit, në bashkëpunim me Katarin, për të mbështetur dialogun mes Uashingtonit dhe Teheranit./mxh