Last Updated on 09/11/2026 by Monika
Tubacioni strategjik Lindje-Perëndim i Arabisë Saudite është shënjestruar të hënën në rajonin perëndimor të Medinës, duke shkaktuar një zjarr të kufizuar, njoftoi një zyrtar i Ministrisë saudite të Energjisë.
Sipas deklaratës së transmetuar nga Agjencia Shtetërore Saudite e Shtypit, nga incidenti nuk pati viktima apo persona të plagosur. Gjithashtu, zyrtari konfirmoi se funksionimi i tubacionit nuk është ndërprerë dhe operacionet kanë vijuar normalisht.
Menjëherë pas incidentit, ekipet e emergjencave dhe specialistët teknikë janë angazhuar në terren për të siguruar zonën dhe për të menaxhuar situatën.
Autoritetet saudite nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi natyrën e sulmit, autorët e mundshëm apo mënyrën se si është goditur infrastruktura energjetike.
Incidenti ndodh në një periudhë tensionesh të shtuara ushtarake në rajon, mes koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, që mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, dhe rebelëve Huthi.
Këta të fundit kanë ndërmarrë vazhdimisht sulme me raketa dhe dronë drejt territorit saudit, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës strategjike dhe furnizimeve energjetike në rajon.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar që lidh sulmin ndaj tubacionit me grupin HuthI./MXH