Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, kishte planifikuar të shpallte ulje të ndjeshme të pranisë ushtarake amerikane në Evropë gjatë një takimi të krerëve ushtarakë të NATO-s në Bruksel muajin e kaluar, por u ndalua nga zyrtarët më të lartë të administratës së Donald Trump, në veçanti nga sekretari i Shtetit Marco Rubio, sipas Wall Street Journal.
Në vend të njoftimit për reduktim trupash, Hegseth shpalli vetëm nisjen e një rishikimi të pozicionimit të forcave amerikane në Evropë, një proces që mund të zgjasë deri në gjashtë muaj.
Sipas Corriere della Serra, kjo ngjarje tregon se brenda administratës Trump ende nuk ka një qëndrim të unifikuar për shkallën dhe kohën e një tërheqjeje të mundshme të trupave amerikane nga Evropa, një çështje që ka shkaktuar shqetësim te aleatët e NATO-s dhe në Kongresin amerikan.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se Hegseth ka synuar që mesazhi i tij të jetë në përputhje me objektivat e presidentit dhe të mos kufizojë vendimmarrjen e tij.
Megjithatë, diskutimet për reduktim të trupave kanë ngjallur shqetësime të forta si te aleatët evropianë ashtu edhe në Kongres, ku si demokratët ashtu edhe republikanët druajnë se një tërheqje mund të dobësojë mbrojtjen ndaj Rusisë. Për këtë arsye, disa ligjvënës po kërkojnë kufizime ligjore që të mos lejojnë reduktime të tilla pa një vlerësim paraprak ushtarak.
Çështja e trupave amerikane dhe shpenzimeve ushtarake të aleatëve pritet të jetë në qendër të takimit të ardhshëm të Donald Trump me liderët e NATO-s në Ankara. Aleatët shpresojnë që samiti të tregojë unitet dhe mbështetje për Ukrainën, por ekziston frika se tensionet me Trump mund të dominojnë diskutimet./mxh
