Pak ditë para dasmës së tyre në Madison Square Garden, Taylor Swift dhe Travis Kelce kanë bërë një donacion prej 26 milionë dollarësh për një sërë organizatash bamirëse në Shtetet e Bashkuara.
Sipas zëdhënësit të këngëtares, fondi është ndarë mes 20 organizatave, ndërsa nëntë prej tyre janë me bazë në Nju Jork. Mes përfituesve janë Food Bank For NYC, City Harvest dhe Musical Mentors, një organizatë jofitimprurëse ku mësues të muzikës ofrojnë mësime falas për fëmijët nga familje me të ardhura të ulëta, raportoi Associated Press.
Edhe pse nuk është bërë publik shuma që ka marrë secila organizatë, disa prej tyre ndodhen në vende me të cilat çifti ka lidhje të ngushta. Mes tyre janë Food Bank of Rhode Island, pranë zonës Watch Hill, ku Taylor Swift zotëron një rezidencë, si dhe spitali pediatrik Children’s Mercy në Kansas City, qyteti ku Travis Kelce luan për skuadrën Kansas City Chiefs.
Planet e Taylor Swift për festën e beqarisë
Donacione kanë marrë gjithashtu edhe Imagination Library e themeluar nga Dolly Parton, e cila shpërndan libra falas për fëmijët, organizata për mbrojtjen e kafshëve ASPCA, si edhe rrjeti kombëtar kundër urisë Feeding America.
Ky gjest vjen në vazhdën e angazhimit të vazhdueshëm të çiftit për kauza sociale.
Taylor Swift ka dhuruar miliona dollarë për bankat lokale të ushqimit përpara çdo ndalese të turneut të saj botëror Eras Tour, ndërsa Travis Kelce është vlerësuar disa herë për aktivitetin e tij në komunitet. Ai është gjithashtu themelues i organizatës jofitimprurëse Eighty-Seven & Running, e cila mbështet fëmijët dhe të rinjtë në fushat e arsimit, sportit dhe arteve.
Taylor Swift dhe Travis Kelce nisën lidhjen e tyre në vitin 2023. Që atëherë, marrëdhënia e tyre është ndjekur nga afër nga mediat dhe fansat, me Swift që është parë shpesh duke festuar në tribunat e ndeshjeve të Kansas City Chiefs, ndërsa Kelce ka qenë i pranishëm në shumë koncerte të turneut Eras Tour, duke mbështetur këngëtaren në mbarë botën./mxh
