Last Updated on 05/07/2026 by EL
Një përplasje virtuale ka sjellë përçarje të fortë mes dy miqve të vjetër, të cilët deri dje ishin krah njëri-tjetrit në ditët e mira dhe të këqija të tyre.
Bëhet fjalë për dyshen Behgjet Pacolli e Berat Buzhala, të cilët kanë debatuar online për një deklaratë të bërë nga ky i fundit në lidhje me situatën e Aeroportit të Vlorës.
Miliarderi shqiptar Behgjet Pacolli ka reaguar i irrituar ndaj gazetari Berat Buzhala, për të cilin thotë se po tenton t’i prishë atij imazhin, përmes reagimeve të tij për Aeroportin e Vlorës, që ai i cilëson si narrative të fabrikuar.
“Kjo mënyrë e të vepruarit nuk është rastësi. Është një përpjekje e vetëdijshme për të zhvendosur debatin nga problemi real – shkeljet ligjore dhe bllokimi i Aeroportit të Vlorës – drejt një narrative të fabrikuar që synon të më diskreditojë. Kjo nuk i shërben së vërtetës, nuk i shërben publikut dhe nuk i shërben gazetarisë. I shërben vetëm interesave të atyre që kanë frikë nga e vërteta dhe ndoshta ndonjë kocke më shumë për ty!” shkruan Pacolli në reagimin e bërë paraditen e sotme.
Më tej miliarderi pretendon se reagimet e Buzhalës vijnë si rrjedhojë e ndërprerjes së pagesave mujore nga Mabetex Holding, të cilat thotë se këtij të fundit i janë ndërprerë.
“Duke e njohur mënyrën se si ti vepron, Pas “kronikës” tende u interesova të kuptoj se çfarë fshihet pas këtij sulmi. Mësova se ty t’i ishin ndërprerë, muaj më parë, pagesat mujore që për vite të tëra ishin bërë nga ish-drejtor i Mabetex Holding-it, i cili sot është i denoncuar për vjedhje dhe mashtrim. Nëse kjo është arsyeja e “zgjimit” tënd, atëherë publiku e ka të qartë motivin!” vijon më tej reagimi i miliarderi shqiptar.
Duke sjellë në kujtesë të mirat që Pacolli i ka bërë Buzhalës ndër vite, ku fokusin e vë te sigurimi i shërbiit mjekësor në Zvicër, miliarderi shqiptar i cilëson deklaratat e gazetarit shqiptar si shpifje djallëzore dhe intriga e konspiracione të qëllimshme për të dëmtuar.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Pacolli thekson se ka fituar çdo gjë me djersë dhe e punë, pa shantazhe.
Reagimi i Buzhalës nuk ka vonuar, vetëm një orë pas postimit të miliarderit gazetari ka reaguar duke pranuar për të disatën herë haptazi se ai ka reaguar dhe falenderuar dhe më parë për ndihmën e marrë nga Pacolli.
Ndërsa në përmbyllje të reagimit Buzhala nuk e ka kursyer Pacollin duke i sugjeruar që të pranojë moshën që ka e të mos përdorë filtra të rrjeteve sociale.
“Perndryshe ty Bac duhet me ta hjeke dikush telefonin prej dores, vec per faktin qe i perdore keta filterat e çikave per foto tujat. Bac, nuk ka kurrgjo ma fisnike se sa me dite me u plake. Me e pranu moshen. Mos me u tute prej saj” shkruan Buzhala.
Reagimi i plotë i Behgjet Pacollit:
Ti, Berat Buzhala,
E pashë dhe e dëgjova kronikën tënde nga Aeroporti i Vlorës. Shpifjet e tua nuk më habisin më. Ajo që më detyroi të reagoj këtë herë është TENDENCIOZITETI YT DJALLZOR, I PAMORALSHEM dhe përpjekja e qëllimshme për te demtuar jo vetëm imazhin tim por edhe veprën time të ndertuar me shume mund e para.
Kjo mënyrë e të vepruarit nuk është rastësi. Është një përpjekje e vetëdijshme për të zhvendosur debatin nga problemi real – shkeljet ligjore dhe bllokimi i Aeroportit të Vlorës – drejt një narrative të fabrikuar që synon të më diskreditojë. Kjo nuk i shërben së vërtetës, nuk i shërben publikut dhe nuk i shërben gazetarisë. I shërben vetëm interesave të atyre që kanë frikë nga e vërteta dhe ndoshta ndonjë kocke më shumë për ty!
Duke e njohur mënyrën se si ti vepron, Pas “kronikës” tende u interesova të kuptoj se çfarë fshihet pas këtij sulmi. Mësova se ty t’i ishin ndërprerë, muaj më parë, pagesat mujore që për vite të tëra ishin bërë nga ish-drejtor i Mabetex Holding-it, i cili sot është i denoncuar për vjedhje dhe mashtrim. Nëse kjo është arsyeja e “zgjimit” tënd, atëherë publiku e ka të qartë motivin!
Por dua të të bëj një pyetje që lidhet me ndërgjegjen dhe moralin tënde;
A ke respekt për prindin tënd? A të kujtohet kur, së bashku me ty, ju solla me avion privat në Zvicër, u kujdesa personalisht që t’i sigurohej trajtimi më i mirë mjekësor, ndërsa gjatë gjithë qëndrimit njerëzit e mi u përkujdesën për ju në hotel me pesë yje? Pas përfundimit të trajtimit, ju ktheva sërish në Kosovë në të njëjtën mënyrë.
Nuk e kam përmendur kurrë këtë, sepse ndihma nuk jepet për t’u përmendur dhe as për të kërkuar mirënjohje. Por kur dikush si TI e shkel çdo normë morale, mirësinë e zëvendëson me SHPIFJE DJALLËZORE, mirënjohjen me keqberje dhe të vërtetën me intriga e konspiracione të qëllimshme për të dëmtuar, atëherë heshtja nuk është më virtyt, por do të ishte bashkëfajësi ndaj të keqës. Kur njeriu vepron pa skrupuj, pa dinjitet, pa ndjenjën më elementare të mirënjohjes dhe pa as kokrrën më të vogël të moralit, ai nuk e dëmton vetëm tjetrin; ai dëshmon para publikut varfërinë e karakterit dhe njërzillakut të vet.
Ku është morali yt? Çfarë u thua familjarëve të tu kur shohin këtë sjellje? Si ua shpjegon këtë fushatë të vazhdueshme shpifjesh ndaj një njeriu që, kur pate nevojë, nuk të ktheu kurrë shpinën?
Ti more NJERI I KEQ mund të vazhdosh të shpifësh sebashku me ata të sojit tend. Ti mund të vazhdosh të ndërtosh kronika mbi insinuata e të pavërteta. Por, një gjë nuk mund ta ndryshosh: njerëzit tashmë të njohin. Ata e dinë dallimin mes gazetarisë dhe propagandës, mes kritikës dhe shpifjes, mes integritetit dhe interesit
Për mua, problemi nuk je vetëm ti. Problemi është fakti që një pjesë e gazetarisë ka rënë në atë nivel sa të shërbejë interesa të caktuara në vend të së vërtetës. Kjo është humbja më e madhe – jo për mua, por për vetë profesionin e gazetarit.
E ti, vazhdo me shpifjet, intrigat dhe konspiracionet tua, e unë, do t’u tregoj njerëzve edhe një anët tjera të medaljes: veprimet dhe prapaskenat e tua, duke filluar nga “vizitat” e tua në Hygeia e deri te ato përtej Atlantikut,
Ti more manipulues, mos harro se une çdo gjë e kam fituar me ndjersë e punë e jo me shantazhe.
Reagimi i Berat Buzhalës:
Per nje video per Aeroportin qe e bona para 8 diteve, sot Behgjet Pacolli paska vendose me me godite, qe ne vitin 2009 m’ka ndihmu per nanen.
Une kete ndihme e kam permend kudo, bile kam shkru edhe postim ne FB para 1 viti.
M’ka marre me avion privat, mu e nanen, na ma akomodu ne hotelin e tij ne Lugano, edhe te nesermen e kam dergu nanen te nje neurolog ne Lugano.
Edhe sot e falenderoj per kete ndihme. Sido qe te jete, cdo gje ka cmim, e cmim duhet me pase edhe kjo ndihme.
Sa kushton nje fluturim ne Zvicer? Dy net ne hotel me 5 yje, edhe nje vizite te neurologu?
Nanen e kam sheru ne vitin 2010, ne Spitalin Shteteror te Austrise, ne Vjene, me mjete mia, operacion ne tru te vogel, qe ka kushtu rreth 20 mije euro, pagese e kryer me banke .
Kjo nuk e ben me pak te cmueshme asistencen e Behgjetit. Prape faleminderit, ose nisma faturen. Qysh te dushe.
Sa i perket marketingut, qe po thote ma ka ndale, prandaj tash po e sulmoj .
Bac, s’je normal. Na dy njihemi prej vitit 2004. I kemi pase reniet dhe ngritjet.
T’kam mbrojte kur t’kane thane qe e ke vra Jusuf Gervallen – kurre nuk te kam kerku kompenzim.
T’kam mbrojte kur t’kane akuzu per takimin me Milloshevicin – kurre nuk te kam kerku kompenzim.
Te kam mbrojte kur te kane sulmu per Mimoza Kusarin – as ketu.
Nuk i kam publiku kurre fotot qe mi kane nise prej avionit privat.
Te kam mbrojte kur te kane akuzu per aferen me keshilltarin tend, Naim Murselin – as ketu.
Nuk i kam publiku kurre fotot qe mi kane nise prej avionit privat.
Edhe per aferen e Grand Hotelit.
Edhe plot tema te tjera.
Nejse, nuk e di cka u prekke kaq shume?
A mos t’dhimbti qe thash ne video, qe po mundohesh me e lidhe aeroportin me protesten?
P.S
Perndryshe ty Bac duhet me ta hjeke dikush telefonin prej dores, vec per faktin qe i perdore keta filterat e çikave per foto tujat. Bac, nuk ka kurrgjo ma fisnike se sa me dite me u plake. Me e pranu moshen. Mos me u tute prej saj.
