Kina dhe Rusia nisën sot manovrat e tyre vjetore detare pranë brigjeve kineze, ndërsa Pekini zhvilloi gjithashtu një provë me një raketë strategjike në oqeanin Paqësor.
Sipas autoriteteve kineze, dy operacionet nuk duket se kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Pekini dhe Moska janë partnerë të rëndësishëm diplomatikë dhe ekonomikë, ndërsa bashkëpunimi mes tyre është forcuar vitet e fundit nga synimi i përbashkët për të ofruar një alternativë ndaj asaj që e konsiderojnë dominimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rendin botëror.
Dy vendet organizojnë prej shumë vitesh stërvitje të përbashkëta ushtarake, të cilat po ndiqen me vëmendje dhe dyshim nga një numër shtetesh, veçanërisht perëndimore, në sfondin e luftës në Ukrainë.
Sipas Ministrisë kineze të Mbrojtjes, stërvitjet e quajtura “Joint Sea-2026” nisën në qytetin port të Qingdaos me ushtrime të komandimit dhe koordinimit taktik.
Më pas, flotat detare të Kinës dhe Rusisë do të zhvillojnë në ujërat përreth ushtrime zbulimi, mbrojtjeje ajrore dhe kundërraketore, si edhe qitje stërvitore me municion të vërtetë.
Pas përfundimit të manovrave, një pjesë e forcave detare të të dy vendeve do të kryejë patrullime të përbashkëta në një zonë të oqeanit Paqësor, megjithëse autoritetet nuk kanë bërë të ditur vendndodhjen e saktë.
Ndërkohë, marina kineze njoftoi sot lëshoi nga një nëndetëse me energji bërthamore një raketë strategjike me rreze të gjatë veprimi drejt Paqësorit.
Sipas Pekinit, raketa nuk mbante kokë bërthamore dhe nuk është e qartë nëse ky test lidhet me manovrat përbashkëta me Rusinë.
Manovrat “Joint Sea” zhvillohen rregullisht që nga viti 2012.
Edicioni i këtij viti do të zgjasë nga 6 deri më 13 korrik dhe zhvillohet më pak se dy muaj pas vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Kinë.
Gjatë asaj vizite, presidenti Putin e cilësoi nivelin e marrëdhënieve dypalëshe si “të paprecedentë”, ndërsa presidenti kinez Xi Jinping i përshkroi ato si “të palëkundura”./mxh
