Një specialist i zemrës ka zbuluar katër fruta që mund të ulin ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës.
Sëmundjet e zemrës zhvillohen kur depozitat e yndyrës grumbullohen në arterie, duke ngushtuar enët e gjakut dhe duke kufizuar rrjedhjen e gjakut drejt zemrës. Ekzistojnë disa mënyra për të ulur rrezikun e zhvillimit të tyre.
Një nga mënyrat më efektive – ndoshta edhe më e rëndësishmja – është ndjekja e një diete të shëndetshme dhe të ekuilibruar, ku disa ushqime janë veçanërisht të dobishme.
Kardiologu David Min, MD, tha për revistën Eating Well:
“Një sërë studimesh kanë treguar se konsumimi i më shumë frutave mund të ulë rrezikun e infarktit në zemër, goditjes në tru dhe vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare”.
Ai veçoi këto katër fruta:
Mollët
Falë përmbajtjes së lartë të fibrave dhe antioksidantëve, mollët lidhen me përmirësimin e tensionit të gjakut dhe uljen e kolesterolit.
Avokado
“Avokado është një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore të pangopura, të cilat janë yndyrna të shëndetshme për zemrën. Ato ulin kolesterolin e keq (LDL) dhe rrisin kolesterolin e mirë (HDL),” tha Dr. Min.
Boronicat
Boronicat janë gjithashtu të pasura me antioksidantë dhe fibra. Antioksidantët janë të rëndësishëm sepse ndihmojnë në kontrollin e radikaleve të lira në organizëm, të cilat mund të jenë të dëmshme kur gjenden në sasi të mëdha.
“Mendoni për to si roje të enëve të gjakut: ato mund të ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut, përmirësimin e elasticitetit të arterieve dhe rritjen e kolesterolit të mirë (HDL), i cili ndihmon në mbrojtjen e arterieve”, tha Dr. Min.
Portokallët
Portokallet njihen për përmbajtjen e lartë të vitaminës C, një antioksidant i rëndësishëm. Megjithatë, sipas kardiologes Audrey T. Damren, ato përmbajnë edhe përbërës të rëndësishëm të quajtur flavanone.
“Është vërtetuar se flavanonet ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut, përmirësimin e niveleve të kolesterolit, reduktimin e inflamacionit dhe mbështetjen e rregullimit të shëndetshëm të sheqerit në gjak – të gjithë faktorë të rëndësishëm për uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare”, tha ajo.
Çfarë i shkakton sëmundjet e zemrës?
Sëmundjet e zemrës zakonisht shkaktohen nga grumbullimi i depozitave të yndyrës në muret e arterieve që furnizojnë zemrën me gjak. Ky grumbullim i ngushton arteriet dhe kufizon rrjedhën e gjakut drejt zemrës.
Sipas Shërbimit Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS), rreziku për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës rritet ndjeshëm nëse:
Pini duhan;
Keni tension të lartë të gjakut;
Keni kolesterol të lartë;
Nuk ushtroni rregullisht aktivitet fizik;
Keni diabet;
Jeni obez ose mbipeshë;
Keni histori familjare të sëmundjeve të zemrës.
Si mund të parandalohen sëmundjet e zemrës?
Për të ulur rrezikun rekomandohet që:
Të jeni më aktivë fizikisht;
Të mbani një peshë trupore të shëndetshme;
Të mos pini duhan;
Të kufizoni konsumimin e alkoolit;
Të mbani nën kontroll tensionin e gjakut;
Të kontrolloni diabetin, nëse vuani prej tij.
Përveç konsumimit të frutave të përmendura më sipër, ekzistojnë edhe shumë mënyra të tjera për të mbrojtur shëndetin e zemrës. Më e rëndësishmja është të ndiqni një regjim ushqimor të shëndetshëm dhe të ekuilibruar, me pak yndyrna të ngopura të dëmshme dhe të pasur me fibra./ET
