Last Updated on 06/07/2026 by EL
Ardhja e paralajmëruar e yllit botëror Kanye West në Tiranë ka ndezur një debat të nxehtë në rrjetet sociale, duke ndarë opinionin publik mes entuziazmit dhe kritikave të ashpra për mesazhin dhe koston që ajo mbart. Performanca e tij, e cila pritet të mbledhë mijëra ndjekës, po shihet nga shumë kritikë jo thjesht si një aktivitet kulturor, por si një shpenzim i pashpjegueshëm dhe një promovim i antivlerave në kryeqytetin shqiptar.
Në qendër të debateve ka qenë edhe stili i jetesës dhe paraqitjet publike të reperit bashkë me partneren e tij, Bianca Censori, të cilat shpesh konsiderohen ekstreme dhe jashtë çdo kornize normale. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, Parid Turdiu ka reaguar në rrjetet sociale, duke publikuar një foto të çiftit ku reperi shfaqet krejtësisht i mbuluar, ndërsa partnerja e tij pothuajse e zhveshur (si gjithmone). Ai ka shkruar me ironi dhe revoltë: “Kanye West me gruan e tij te re. Ai mlohet, ajo zblohet. Kete te semure mendor kane ftuar ne Tiranë t’ju mesoje si te jetoni.”

Ky qëndrim ka gjetur mbështetje edhe nga figura të tjera publike, të cilët vënë në pikëpyetje menaxhimin e fondeve për organizime të tilla kaq të kushtueshme. Sevim Arbana ka ngritur shqetësimin për faturën financiare që rëndon mbi buxhetin e qytetit apo taksapaguesve, duke u shprehur: “Dhe më skandaloze është të harxhosh miliona për këtë? Hajde de t i fitonte vetë. Këta janë të çmëndur.”
Ndërsa biletat dhe përgatitjet për koncertin e madh vazhdojnë, ky event ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi modelin që u ofrohet të rinjve shqiptarë dhe mbi prioritetet e vërteta financiare të eventeve që mbështeten apo zhvillohen në vendin tonë./ET
